Kjo fundjavë po ndiqet me interes të madh në Gjermani, për shkak të zgjedhjeve rajonale, në Berlin dhe në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore. Në një intervistë për News24, analisti i Deutsche Welle Auron Dodi shpjegoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve rajonale dhe se si paraqitet situata në zona zgjedhore. Fillimisht, çfarë i bën të veçanta këto zgjedhje rajonale? E veçanta e zgjedhjeve të kësaj të diele në landin e Berlinit dhe në landin lindor, Meklenburg-Pomerani Perëndimore, konsiston në domethënien e rezultatit, për dy partitë që qeverisin Gjermaninë: CDU-në, parti e mesit të djathtë dhe SPD, parti e mesit të majtë. Gjendja e përgjithshme në të dyja këto parti nuk ofron fare mbështetje për përfaqësuesit në degët rajonale. Nëse CDU-ja humbet pushtetin që mban në Berlin, tronditja do të ishte e madhe. Po aq e rëndë do të ishte edhe moshyrja në parlamentin e Meklenburg-Pomeranisë Perëndimore. Një përfundim i tillë mund të sjellë pasoja për CDU në qendër.
Nga ana tjetër, socialdemokratët pritet ta krijojnë qeverinë në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore. Nëse hyjnë edhe në qeverinë e Berlinit, suksesi do të ishte i plotë. Për gjithë partinë do të ishte një lajm i rrallë inkurajues.
Kurse AfD-ja, dihet se javën e kaluar arriti një fitore të dukshme në Saksoni-Anhalt, përballë CDU-së. Në landin e Berlinit ajo mund ta dyfishojë mbështetjen aktuale. Por nuk pritet të krijojë dot koalicion qeveritar. Ndërsa në Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore ajo konkurron me socialdemokratët dhe kryeson lehtë.
Si paraqitet konkretisht situata në Berlin, që dihet se është njëkohësisht land federal dhe kryeqytet?
Në landin e Berlinit mund të kemi ndërrim pushteti. CDU-ja që qeveris aktualisht, lufton të mbetet në pushtet.
Por shanset më të mëdha që të krijojë koalicion qeveritar duket se i ka partia E Majta, që kryeson me 20 deri në 23 për qind. Bashkë me Të Gjelbrit dhe SPD-në, kjo parti, pjesërisht me rrënjë në partinë postkomuniste të RDGJ, mund të formojë qeverinë e ardhshme.
Arsyeja qendrore për këtë mundësi është situata e strehimit në Berlin.
Në Berlin, mbi 80 për qind e banorëve jetojnë me qira. Që nga viti 2016 qiratë atje janë rritur me 69 për qind.
Janë rritur edhe në qytete të tjera. Por në Berlin qiratë e larta ndeshen me të ardhura më të ulëta të njerëzve.
Prandaj partia E Majta e vuri këtë temë në qendër të fushatës. E Majta angazhohet t’i shpronësojë e t’ia kalojë shtetit kompanitë e mëdha të banesave. Këtë e mbështetën shumë berlinezë në një referendum të mbajtur në vitin 2021.
Për CDU-në kjo është problem. Por shumë votues thonë se CDU-ja nuk i mbajti premtimet për banesat dhe arsimin.
Pse voton Berlini në mënyrë kaq të ndryshme?
Berlini është qytet dhe land shumë heterogjen. Ka 3,9 milionë banorë, por 42,3 për qind e tyre kanë prejardhje emigracioni. Dhe rreth pesë për qind janë refugjatë të rinj, kryesisht nga Siria dhe Ukraina. Kjo larmi duket edhe në preferencat e ndryshme për votime nga lagjja në lagje.
Në lagjet e qendrës së Berlinit, me publik ndërkombëtar dhe me kulturë alternative, njerëzit mbështesin partitë E Majta dhe Të Gjelbrit. Votues me të cilët fola pak ditë më parë atje më thanë se do t’ia japin votën partisë E Majta vetëm për shkak të qirave.
Në perëndim të Berlinit votojnë për CDU-në, ndërsa në lindje për AfD.
Pra, mbështetësit e AfD-së janë kryesisht në lindje të Berlinit?
Po. Bastioni i AfD-së në Berlin duket se është lagjja Marzahn-Hellersdorf, lagje me shumë pallate parafabrikate që nga koha e RDGJ. Të tërheq vëmendjen se shumë votues të AfD-së atje e quajnë migrimin temën kryesore. Megjithëse përqindja e të huajve në atë lagje është më e ulët, nën mesataren e Berlinit, te 20 %.
Por njerëzit përmendin edhe faktin që nuk janë ndërtuar banesa të reja, për shkak të borxheve miliardëshe të Berlinit si land. Disa përmendin edhe ndjesinë se, me AfD-në, gjendja nuk mund të bëhet më e keqe se ç’është. Berlini është qytet i kontrasteve.
Po në landin Meklenburg-Pomerani Perëndimore si është gjendja?
Në këtë land në verilindje të Gjermanisë, janë tre parti që konkurrojnë.
AfD lufton për vendin e parë. SPD lufton për të qëndruar në pushtet. Kurse CDU-ja lufton për mbijetesë politike.
Në kështjellën e dikurshme të ish-kancelares Angela Merkel, CDU-së i kanoset humbja. Rezultati mund t’i përgjysmohet dhe CDU mund të mbetet edhe nën pragun prej pesë për qind.
Pas asaj që ndodhi në Saksoni-Anhalt, ky do të ishte tërmet politik shumë përtej kufijve rajonalë. Mediat shkruajnë se kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, ka thirrur kryesinë e partisë për mbrëmjen e zgjedhjeve.
Të papriturën në këtë zonë të ish-RDGJ, e sjell SPD. Kryeministrja e landit, Manuela Schwesig, arriti ta forcojë mbështetjen për partinë brenda një viti nga 19 në 35 për qind.
Kurse AfD kryeson me 37 për qind. Por nuk ka partnerë të gatshëm për koalicion. SPD-në e pret një sukses i rrallë nëse mbetet në pushtet.
Çfarë e bën Meklenburg-Pomeraninë Perëndimore kaq të veçantë?
Bëhet fjalë për një land me rreth 1,57 milionë banorë. Ekonomia e tij është më e dobët se mesatarja gjermane. Shumë njerëz jetojnë në qytete të vogla ose në fshat. Të ardhurat dhe pensionet janë nën mesataren federale.
Prandaj atje kanë rëndësi tema të tjera nga ato të Berlinit. Rëndësi kanë pensionet, kujdesi ndaj të moshuarve dhe shtrenjtimi i jetesës.
Socialdemokratët si parti e drejtojnë këtë land prej 28 vjetësh. Kurse kryeministrja Manuela Schwesig qeveris prej nëntë vjetësh. Schwesig vetë është më e preferuar se partia e saj SPD, 60 për qind e votuesve do ta zgjidhnin drejtpërdrejt. Ajo është distancuar madje nga vendimet jopopullore të qeverisë federale. Për njerëzit Schwesig përfaqëson stabilitetin në kohë të pasigurta.
AfD është e fortë në këtë land, nga shqetësimi për ekonominë e nga ndjesia e njerëzve se i kanë lënë pas dore. Por gara mbetet e hapur. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
