Celibashi duke votuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur prokurimet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Pesë procedura për materiale dhe infrastrukturë zgjedhore kanë një fond limit prej rreth 366 milionë lekësh. Tri prej tyre janë shënuar me flamur të kuq nga Open Procurement Albania, ndërsa një tjetër është pezulluar. Për organizimin e gjithë procesit zgjedhor parashikohen 2,5 miliardë lekë. Zgjedhjet vendore të vitit 2027 kanë nisur të prodhojnë faturën e tyre financiare, disa muaj përpara se qytetarët t'u drejtohen kutive të votimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur një seri tenderësh për blerjen e materialeve zgjedhore, përgatitjen e pajisjeve elektronike, vendosjen e kamerave dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për administrimin e procesit.
Nga pesë procedura të publikuara në regjistrin e prokurimeve publike, fondi limit i përbashkët arrin në afro 366 milionë lekë, ose afërsisht 3,7 milionë euro. Kjo shumë përfaqëson vetëm një pjesë të shpenzimeve të planifikuara për zgjedhjet vendore, të cilat do të zhvillohen më 9 maj 2027. Tenderi me vlerën më të madhe lidhet me ndërtimin e infrastrukturës dhe katit të dytë të magazinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ruhen pajisjet dhe materialet zgjedhore.
Për këtë investim, KQZ ka përcaktuar një fond limit prej 254,1 milionë lekësh. Procedura është shpallur më 1 tetor 2026 dhe ka pasur dy ofertues, ndërsa oferta e shpallur fituese është 188 milionë lekë.
Në regjistrin Open Procurement Albania, tenderi është shënuar me një flamur të kuq, pasi nga dy ofertuesit pjesëmarrës vetëm njëri është kualifikuar. Një tjetër procedurë është ajo për blerjen e kutive të votimit, me fond limit prej 15,9 milionë lekësh. Tenderi është shpallur më 15 shtator dhe ka pasur dy ofertues, por vetëm njëri ka kaluar fazën e kualifikimit. Edhe kjo procedurë është shënuar me flamur të kuq. KQZ ka zhvilluar gjithashtu një tender për prodhimin e dokumenteve të identifikimit të administratës zgjedhore, vëzhguesve politikë dhe etiketave të sigurisë.
Fondi limit i kësaj procedure është 28,3 milionë lekë. Edhe në këtë rast kanë marrë pjesë dy ofertues dhe vetëm një është kualifikuar, duke bërë që procedura të shënohet me flamur të kuq nga platforma e monitorimit të prokurimeve. Përveç kutive dhe dokumentacionit, KQZ ka parashikuar shpenzime edhe për sistemin e kamerave në qendrat e votimit.
Tenderi për shërbime dhe materiale për përgatitjen e kamerave në qendrat e votimit ka një fond limit prej 34,8 milionë lekësh. Procedura është shpallur më 15 tetor, por në regjistrin e Open Procurement Albania rezulton e pezulluar, pa një operator fitues të shpallur. Një tjetër tender, me fond limit prej 32,9 milionë lekësh, lidhet me mirëmbajtjen, riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve.
Procedura është shpallur më 13 nëntor, ndërsa afati i zhvillimit është përcaktuar më 14 dhjetor 2026. Për këtë arsye, ajo rezulton ende në fazën e prokurimit dhe nuk ka një fitues të shpallur.
Në total, pesë tenderët e evidentuar kanë një fond limit prej 366,2 milionë lekësh. Megjithatë, jo e gjithë kjo shumë përbën shpenzim të realizuar, pasi disa procedura nuk janë përfunduar dhe njëra është pezulluar.
Në tri procedurat ku Open Procurement Albania ka vendosur flamur të kuq, problematika e evidentuar lidhet me konkurrencën: nga dy oferta të paraqitura, vetëm një është kualifikuar.
Por sa do t'u kushtojnë në total shqiptarëve zgjedhjet e ardhshme vendore?
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka deklaruar gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në Kuvend se për organizimin e zgjedhjeve vendore janë parashikuar 2,5 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë euro.
Kjo shumë do të mbulojë organizimin e procesit zgjedhor, administrimin e votimit dhe numërimit, teknologjinë zgjedhore, materialet dhe shërbimet e nevojshme.
Kostoja e zgjedhjeve ka qenë e konsiderueshme edhe në proceset e mëparshme.
Sipas raportit zyrtar financiar të KQZ-së, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 u vendos në dispozicion një fond prej 2,6 miliardë lekësh, ndërsa shpenzimet e realizuara në programin për zgjedhjet arritën në rreth 2,52 miliardë lekë. Këto fonde mbuluan edhe dy procese të tjera zgjedhore të pjesshme, në Rrogozhinë dhe Kukës.
Një pjesë e madhe e shpenzimeve të vitit 2023 lidhej me teknologjinë zgjedhore, shërbimet, pajisjet informatike dhe pagesat e personelit të angazhuar në administrimin e votimit.
Ndërsa për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, sipas raportimit zyrtar të KQZ-së në Kuvend, u akordua një buxhet prej rreth 38,7 milionë eurosh. Këto zgjedhje patën edhe shpenzime për organizimin e votimit nga jashtë vendit, krahas teknologjisë dhe administrimit të procesit brenda Shqipërisë. /Pamfleti kqz tendere screenshot 5 screenshot 6 screenshot 7 screenshot 8 screenshot 9 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Rama merr rolin e strategut në Berlin, i tregon Europës si duhej të sillej me Putinin 19 Nëntor 2026, 17:1117:11Politike Ligji për Tubimet miratohet në Komisionet e Kuvendit; Rama shtrëngon darën mbi protestuesit, opozita me sytë nga Kushtetuesja 19 Nëntor 2026, 16:4516:45Politike Nga zgjedhjet te korrupsioni, Britania mesazh Ramës: Reforma kërkon dialog, drejtësia pavarësi! 19 Nëntor 2026, 15:5415:54Politike Buxheti 2027 rikthehet në komisione, institucionet kërkojnë më shumë fonde dhe staf! 19 Nëntor 2026, 15:0915:09Politike “Arsimi dhe shëndetësia në krizë”, Koçeku kritikon buxhetin: Nuk pasqyron kërkesat e qytetarëve 19 Nëntor 2026, 14:5414:54Politike Topi i futbollit në Kuvend: Balla dhe Braçe lënë pas përplasjet, bëhen bashkë për ligjin e sponsorizimeve 19 Nëntor 2026, 14:5014:50Politike

