Lajme Zone
Zgjedhjet në Serbi drejt fundit, pjesëmarrje e lartë, incidente dhe dyshime për blerje votash! Kurti thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Votoni për të ardhmen tuaj! 'Blindohet' qendra e Beogradit
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 8 burime — Krahaso mbulimin →

Zgjedhjet në Serbi drejt fundit, pjesëmarrje e lartë, incidente dhe dyshime për blerje votash! Kurti thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Votoni për të ardhmen tuaj! 'Blindohet' qendra e Beogradit

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi po shkojnë drejt mbylljes mes pjesëmarrjes së lartë dhe incidenteve në disa qytete. Deri në orën 17:00 kishin votuar 60.9% e zgjedhësve, sipas organizatës CeSID. Ndërkohë, janë raportuar sulme ndaj mbështetësve të studentëve, parregullsi në qendrat e votimit dhe prani e automjeteve të blinduara pranë Presidencës në Beograd. Shqiptarët e Luginës së Pres

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi po shkojnë drejt mbylljes mes pjesëmarrjes së lartë dhe incidenteve në disa qytete. Deri në orën 17:00 kishin votuar 60.9% e zgjedhësve, sipas organizatës CeSID. Ndërkohë, janë raportuar sulme ndaj mbështetësve të studentëve, parregullsi në qendrat e votimit dhe prani e automjeteve të blinduara pranë Presidencës në Beograd. Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë të bashkuar për më shumë përfaqësim në Parlamentin serb. Qendrat e votimit, të hapura prej orës 07:00, do të mbyllen në orën 20:00. Në këto zgjedhje, mbi 6.4 milionë qytetarë kanë të drejtë vote për të zgjedhur 250 deputetët e Parlamentit. Në garë janë 18 lista me 2,418 kandidatë, mes tyre lista e Aleksandër Vuçiçit, Lista Studentore dhe Koalicioni Shqiptar. LEXO edhe...Zgjedhjet në Serbi/ Nga tre mandate të synuara, shqiptarët e Luginës së Preshevës në garë për dy! Kamberi: Pasivizimi i adresave na ka dëmtuar Pjesëmarrja e regjistruar gjatë ditës ishte më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 kishin votuar 56.38% e zgjedhësve, rreth 14 pikë përqindjeje më shumë se në të njëjtën orë në zgjedhjet e mëparshme. Dita e votimit është shoqëruar me incidente në disa qytete. Në Nish dhe Hërtkovci, sipas gazetës Danas, janë sulmuar motoçiklistë që mbështesin studentët. Dëshmitarët kanë raportuar se sulmuesit mbanin shufra metalike dhe se kishte persona të plagosur. Në Pançevo, sipas mediave lokale të cituara nga Radio Evropa e Lirë, persona të maskuar kanë sulmuar disa të rinj pranë një qendre votimi. Në pamjet e publikuara nga Pancevo.city, njëri prej të rinjve shihet i gjakosur në fytyrë. Në Leskovc, votimi është ndërprerë pasi një anëtar i komisionit zgjedhor ka thyer kutinë e votimit dhe ka goditur një përfaqësues të studentëve. Ndërkohë, në qendër të Beogradit janë vendosur automjete të blinduara të Xhandarmërisë, që përdoren për shpërndarjen e demonstratave, sipas Nova.rs. Parregullsi janë evidentuar edhe nga organizatat që monitorojnë procesin. CRTA, e cila kishte vëzhgues në 500 qendra votimi, raportoi për fotografim të fletëve të votimit, votim pa dokumente të vlefshme, probleme me përdorimin e llambave ultravjollcë dhe presione ndaj zgjedhësve e vëzhguesve. Sipas përfaqësuesit të CRTA-s, Rasha Nedelkov, parregullsi procedurale ishin regjistruar në 18% të qendrave të monitoruara, ndërsa probleme që lidhen me integritetin e votimit në 17% të tyre. Në Novi Sad, policia ndërhyri pas pretendimeve të qytetarëve se kishin parë persona me para dhe zarfe. Avokati i Popullit në Serbi njoftoi gjithashtu se kishte marrë ankesa të shumta për konflikte pranë qendrave të votimit, përfshirë pretendime për sulme ndaj të moshuarve. Shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë të bashkuar Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, partitë shqiptare janë bashkuar në “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17, për të kërkuar më shumë vende në Parlamentin serb. Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, pasi votoi, u bëri thirrje shqiptarëve të merrnin pjesë masivisht në zgjedhje. “Dita e sotme është vendimtare, është jetike për të ardhmen, jo vetëm të rajonit, por kryesisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, deklaroi Sinani. Edhe bartësi i listës, Shaip Kamberi, votoi në vendlindjen e tij, në Tërnoc, dhe falënderoi qytetarët që kishin udhëtuar nga Kosova për të marrë pjesë në proces. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar pasditen e së dielës, u bëri thirrje shqiptarëve që ende nuk kishin votuar të mbështesnin Koalicionin Shqiptar. Për shqiptarët e Luginës, ndër çështjet kryesore mbeten pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të Kosovës dhe mungesa e investimeve. Vuçiç përballë Listës Studentore Zgjedhjet po mbahen pas dy vitesh protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit në Serbi. Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit në fund të shtatorit, synon të rikthehet në postin e kryeministrit. Përballë tij është Lista Studentore, e dalë nga protestat që u përhapën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ndërkohë, gjatë ditës janë publikuar edhe pretendime për blerje votash. Sipas dëshmive anonime të publikuara nga KosovaPress, disa qytetarëve nga Kosova dyshohet se u janë ofruar nga 100 euro për të votuar Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiçit. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Në ditën e zgjedhjeve, EULEX ka shtuar patrullimet pranë pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00, ndërsa qytetarët që ndodhen në radhë në atë moment do të lejohen të votojnë. Ora 19:51 Zgjedhjet në Serbi/ Pjesëmarrja në votime thyen rekordin e vitit 2008 Vetëm 10 minuta para mbylljes së qendrave të votimit në Serbi, pjesëmarrja ka thyer tashmë rekordin e regjistruar që prej pavarësisë së vendit. Sipas CeSID, deri në orën 19:00 kishin votuar 67.6% e zgjedhësve, duke kaluar shifrën 61.35% të vitit 2008.Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023: deri në orën 18:00 kishin votuar 64.89% e qytetarëve, kundrejt 51.93% në të njëjtën orë tre vite më parë.Gjatë ditës, në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Pançevo janë krijuar radhë të gjata, ndërsa disa qytetarë i thanë BBC-së se nuk mbanin mend një fluks të tillë votuesish që prej shumë kohësh Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00, por ata që do të jenë në radhë në atë moment do të mund të votojnë. Share Ora 17:59 Tensione në zgjedhjet në Serbi! Sulmohen mbështetësit e studentëve, automjete të blinduara në zemër të Beogradit (VIDEO) Sulme ndaj mbështetësve të studentëve, ndërprerje të votimit dhe automjete të blinduara në qendër të Beogradit. Këto janë disa nga zhvillimet që kanë shoqëruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Sipas të dhënave më të fundit të CeSID, deri në orën 17:00 kishin votuar 60.9% e zgjedhësve.Në Nish, sipas gazetës Danas, motoçiklistë që mbështesin studentët janë sulmuar nga burra të veshur me të zeza, disa prej të cilëve mbanin shufra metalike. Dëshmitarët kanë raportuar për persona të plagosur lehtë.Një tjetër sulm ndaj motoçiklistëve është raportuar në Hërtkovci, ku një prej të sulmuarve ka deklaruar se persona me shufra metalike dolën nga dy makina dhe goditën grupin. Sipas tij, ka edhe të plagosur rëndë.Në Leskovc, votimi është ndërprerë pasi një anëtar i komisionit zgjedhor ka thyer kutinë e votimit dhe ka goditur një përfaqësues të studentëve.Ndërkohë, automjete të Xhandarmërisë serbe, që përdoren për shpërndarjen e demonstratave, janë vendosur pranë Presidencës në qendër të Beogradit, sipas Nova.rs.Organizata CRTA raportoi se deri në orën 16:00 kishte evidentuar parregullsi në 29% të qendrave të votimit të monitoruara, përfshirë presione ndaj votuesve, komisionerëve dhe vëzhguesve.Gjatë ditës janë raportuar edhe sulme ndaj dy gazetarëve në Vranjë, ndërsa në Novi Sad policia ka shoqëruar dy persona pas raportimeve për njerëz me thasë e zarfe dhe pretendimeve të qytetarëve për kërcënime.Qendrat e votimit mbyllen në orën 20:00. Share Ora 17:50 Zgjedhjet në Serbi/ Kurti thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës: Shfrytëzoni kohën e mbetur,çdo votë ka peshë për të ardhmen tuaj (VIDEO) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që ende nuk kanë votuar të dalin në zgjedhje dhe të mbështesin “Koalicionin Shqiptar”, me numrin 17.Përmes një video-mesazhi në Facebook, Kurti theksoi se pjesëmarrja në votime është e rëndësishme për përfaqësimin politik dhe të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.Ai u shpreh se përballja me diskriminimin dhe përpjekjet për barazi kërkojnë pjesëmarrjen e qytetarëve, ndërsa i ftoi ata të nxisin edhe familjarët e miqtë që të ushtrojnë të drejtën e votës."Të dashur qytetarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Ju që ende nuk keni votuar, ju ftoj ta ushtroni të drejtën tuaj. Shfrytëzojeni kohën e mbetur. Secila votë ka peshë për përfaqësimin dhe për të ardhmen tuaj. Përbashkimi në “Koalicionin Shqiptar” kërkon sot pjesëmarrjen tuaj. Qëndresa ndaj diskriminimit dhe përkushtimi për barazi marrin forcë nga vullneti që shprehni në kutitë e votimit. Dilni e votoni. Ftojini edhe familjarët e miqtë tuaj që ta ushtrojnë këtë të drejtë. Mbështeteni “Koalicionin Shqiptar”, numrin 17. Për një zë të fuqishëm dhe për mundësinë që secili e secila ta ndërtojë jetën në vendlindje" tha Kurti në një videomesazh të publikuar pasditen e së dielës. Share Ora 16:40 Zgjedhjet në Serbi/ Dyshime për blerje votash, qytetarët denoncojnë persona me para dhe zarfe! Pengohen vëzhguesit Zgjedhjet parlamentare në Serbi po shoqërohen me parregullsi, nga fotografimi i fletëve të votimit dhe votimi familjar, te kërcënimet ndaj zgjedhësve dhe pengimi i vëzhguesve.Sipas organizatave CRTA dhe CeSID, janë raportuar edhe raste të votimit jashtë kabinave, probleme me verifikimin e votuesve dhe ndërprerje të përkohshme të procesit. CRTA ka raportuar se një vëzhguese është penguar dhe fyer nga shtatë persona, ndërsa në Novi Sad policia ka ndërhyrë pas grumbullimit të qytetarëve, disa prej të cilëve pretenduan se kishin parë persona me para dhe zarfe. Share Ora 14:25 100 euro për të votuar partinë e Vuçiç në Serbi! Dëshmitë nga Kosova: Na paguajnë transportin, paratë i marrim pas votimit Qytetarëve serbë dhe pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në Kosovë dyshohet se po u ofrohen nga 100 euro për të votuar partinë e Aleksandër Vuçiç në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Sipas KosovaPress, e cila ka siguruar dëshmi nga qytetarë që kanë folur në kushte anonimiteti, përveç pagesave po organizohet edhe transporti i votuesve drejt Serbisë, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se po përballen me presione dhe kërcënime.Një qytetar nga Plemetini ka treguar se një autobus, pasi kishte dërguar një grup votuesish drejt Serbisë, ishte kthyer për të marrë të tjerë. Sipas tij, shpenzimet e udhëtimit mbulohen nga organizatorët, ndërsa 100 eurot u premtohen votuesve pasi të kenë votuar për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).Burime të KosovaPress brenda institucioneve të sigurisë pretendojnë se ndaj disa serbëve që jetojnë në Kosovë po ushtrohet presion edhe përmes ndihmave që marrin, duke i kushtëzuar ato me votën për partinë e Vuçiç.“Paratë për këto pagesa janë siguruar nga Milan Radoiçiç. Mesazhet kërcënuese, presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Kosovë po përcillen nga struktura ilegale serbe dhe përfaqësues të Listës Serbe”, ka deklaruar një burim për KosovaPress.Sipas të njëjtave burime, në organizimin e transportit dhe lëvizjen e votuesve në zonën kufitare janë përfshirë edhe persona të një grupi të lidhur me Radoiçiçin, të njohur si “MC”.Votuesve u janë dhënë gjithashtu udhëzime se si të votojnë dhe u është thënë se vota e tyre mund të kontrollohet për të verifikuar nëse kanë mbështetur SNS-në.KosovaPress raporton edhe për një rritje prej më shumë se 20 mijë personash të regjistruar si votues nga Kosova, sipas burimeve të saj. Share Ora 14:15 Zgjedhjet në Serbi/ EULEX shton patrullimet në kufirin me Kosovën, në koordinim me policinë dhe KFOR-in Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shtuar patrullimet pranë pikave kryesore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në ditën kur në Serbi po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas njoftimit të EULEX-it, patrullat e Njësisë Policore të Specializuar janë shtuar që në orët e para të mëngjesit për të monitoruar situatën në terren. Këto veprime po kryhen në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, misionin e NATO-s në Kosovë, në kuadër të mekanizmit trepalësh të reagimit të sigurisë. EULEX nuk ka dhënë detaje të tjera për situatën në pikat kufitare. Share Ora 14:07 Zgjedhjet në Serbi/ Shaip Kamberi voton në vendlindje, falënderon shqiptarët që udhëtuan nga Kosova: Dilni masivisht në votime Shaip Kamberi, bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar, ka votuar në vendlindjen e tij, në Tërnoc të Luginës së Preshevës, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Serbi. Pas votimit, Kamberi u bëri thirrje shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, ndërsa falënderoi edhe qytetarët që kishin udhëtuar nga Kosova për të votuar.“Falënderoj edhe qytetarët që erdhën nga Kosova për ta ndihmuar këtë proces, i cili duhet të jetë demokratik”, deklaroi Kamberi, duke u kërkuar shqiptarëve të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Share Ora 13:20 Zgjedhjet në Serbi/ Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani voton dhe u bën thirrje shqiptarëve të Luginës: Sot është ditë vendimtare për të ardhmen tonë Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Serbi. Pas votimit, ajo u bëri thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dalin masivisht në votime, duke e cilësuar ditën e sotme vendimtare për të ardhmen e tyre.“Unë ftoj masivisht qytetarët të dalin sot, të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Dita e sotme është vendimtare, është jetike për të ardhmen, jo vetëm të rajonit, por kryesisht për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Andaj mos hezitoni, dilni me të gjithë anëtarët e familjes dhe përgjigjuni ditës së sotme”, tha Sinani. Share Ora 12:37 Zgjedhjet në Serbi/ Nëna e Vuçiç sulmohet pas votimit në Beograd, i rrëmbejnë çantën me ushqime! Policia nis hetimet Nëna e ish presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Angelina Vuçiç, është sulmuar mëngjesin e sotëm pranë një qendre votimi në qendër të Beogradit, sipas raportimit të medias serbe Informer.Sipas kësaj të fundit, persona që i cilëson si pjesëmarrës në bllokada e kanë fyer dhe i kanë marrë me forcë qesen me ushqime që mbante me vete.Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pak pasi ajo kishte votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Informer shkruan se incidenti është denoncuar në polici dhe se po zhvillohen hetime për të zbardhur rrethanat. Share Ora 12:12 Zgjedhjet në Serbi/ Vuçiç pret në radhë për të votuar, shoqërohet nga bashkëshortja Tamara (VIDEO) Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është paraqitur në një qendër votimi në Beogradin e Ri, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Tamara Vuçiç. Ish kreu i shtetit serb, i cili kryeson listën zgjedhore “Serbia e Bashkuar”, ka pritur në radhë bashkë me qytetarët e tjerë për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Serbi.Sipas mediave serbe, që prej orëve të para të mëngjesit janë regjistruar radhë të gjata në qendrat e votimit. Në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 6,451,292 qytetarë, ndërsa 8,392 qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Share Ora 10:30 Tensione në zgjedhjet parlamentare në Serbi! 30 persona të maskuar futen me forcë në qendrën e votimit, kërcënojnë komisionerët dhe ndërpresin votimin Incidente gjatë zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Rreth 30 persona të maskuar kanë hyrë me forcë në një qendër votimi në jug të vendit, duke kërcënuar fizikisht dhe verbalisht komisionerët dhe duke ndërprerë procesin e votimit.Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pukovac, pranë qytetit të Nishit, ku janë raportuar incidente në tre qendra votimi. Sipas avokates Dragana Milutinoviç, në njërën prej tyre, tre persona kanë hyrë me forcë dhe një komisioner është goditur me shuplakë.Ajo tha se policia lokale mbërriti në vendngjarje, por nuk pranoi të hynte brenda, me arsyetimin se nuk ishte thirrur nga kryetari i komisionit zgjedhor. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së policisë së Nishit. Deputetja e opozitës, Jelena Millosheviç, konfirmoi për mediat serbe se kishte pasur përplasje fizike dhe se situata mbetej e tensionuar. Share Ora 10:17 Zgjedhjet në Serbi/ Radhë të gjata në ambasadat jashtë vendit, serbët në SHBA votojnë që në orën 02:00 të mëngjesit (VIDEO) Mbi 102 mijë shtetas serbë janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, një numër rekord. Votimi është organizuar në 93 qendra në 37 shtete, ndërsa radhë të gjata janë regjistruar në Uashington, Vjenë, Lubjanë dhe Los Anxhelos.Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, qendrat e votimit jashtë vendit janë hapur sipas orarit të Serbisë, nga ora 07:00 deri në 20:00, duke bërë që në disa vende qytetarët të votojnë gjatë natës. Në Çikago votimi ka nisur në orën 01:00 të mëngjesit, në Nju Jork dhe Uashington në orën 02:00, ndërsa në Los Anxhelos në orën 23:00 të një nate më parë, ku janë regjistruar radhë me qindra persona.Organizatat e diasporës e kanë kundërshtuar këtë mënyrë organizimi, duke theksuar se votuesit detyrohen të udhëtojnë qindra apo mijëra kilometra për të votuar. Nga ana tjetër, qeveria serbe ka deklaruar se oraret dhe vendndodhjet janë përcaktuar sipas kritereve logjistike, të sigurisë dhe të personelit. Share Ora 10:15 Zgjedhjet në Serbi/ Pjesëmarrje mbi dyfish më e lartë se në vitin 2023, radhë të gjata në qendrat e votimit! 12% e qytetarëve votuan deri në orën 09:00 Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është më shumë se dyfishi i asaj të regjistruar në zgjedhjet e vitit 2023.Sipas vlerësimeve të para të IPSOS dhe CeSID, deri në orën 09:00 kishin votuar 12% e zgjedhësve, krahasuar me 5.3% në të njëjtën orë në vitin 2023.Dita e zgjedhjeve ka nisur me radhë të gjata përpara qendrave të votimit.Kryetari i Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Vladimir Dimitrijeviç, tha se të gjitha qendrat u hapën në kohë, megjithëse në disa prej tyre pati vonesa të vogla për shkak të numrit të madh të votuesve dhe përgatitjeve për procesin. Ai u uroi qytetarëve një ditë zgjedhore “të suksesshme dhe paqësore”. Share R.Xh/E.H/ReportTv.al aleksander vucic zgjedhjet ne serbi serbi Komento Komente Capa: 25/10/2026 09:40 Edhe Vucic jep doreheqjen dhe ben zgjedhje. Përgjigju Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 18.6% Jo 78.5% Disi 2.8% Vota total: 14989 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?