Zgjedhjet parlamentare në Izrael po shënojnë një pjesëmarrje rekord të qytetarëve, ndërsa gara mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish-shefit të ushtrisë, Gadi Eisenkot, shoqërohet me tensione dhe akuza për parregullsi në procesin e votimit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 10:00 të kësaj të marte, 27 tetor, më shumë se një milion qytetarë kishin ushtruar të drejtën e votës, duke e çuar pjesëmarrjen në 16,68%. Kjo është pjesëmarrja më e lartë e regjistruar në këtë orar që prej vitit 1981, duke tejkaluar edhe shifrën prej 15,9% të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2022. Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja ndryshon ndjeshëm mes qyteteve kryesore. Në Jerusalem kishin votuar 9% e zgjedhësve, në Tel Aviv 9,3%, ndërsa në Haifa 8,7%. Në qytetin Bnei Brak, ku jeton një komunitet i madh hebrenjsh ultraortodoksë, pjesëmarrja arriti në 11,7%, ndërsa në qytetin arab Umm al-Fahm ishte 5,2%.
Pjesëmarrje e lartë është regjistruar edhe mes pjesëtarëve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit. Deri në orën 10:00 kishin votuar 30% e ushtarakëve në shërbim aktiv, krahasuar me 25,7% në të njëjtën orë gjatë zgjedhjeve të vitit 2022.
Ndërkohë, kryeministri Benjamin Netanyahu ka hedhur votën e tij në Jerusalem, duke u bërë thirrje mbështetësve të së djathtës të mobilizohen masivisht.
Përmes një postimi në platformën X, Netanyahu e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.
“Votues të krahut të djathtë, kjo është një orë emergjence”, deklaroi ai, duke kërkuar pjesëmarrje të lartë për të penguar një fitore të forcave të majta.
Por procesi zgjedhor është shoqëruar edhe me akuza për tentativa manipulimi. Partia Yashar, e drejtuar nga rivali kryesor i Netanyahut, Gadi Eisenkot, ka paraqitur një ankesë zyrtare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke denoncuar parregullsi me fletët e votimit.
Sipas kësaj force politike, në disa qendra votimi janë konstatuar probleme me fletët që mbajnë simbolin e saj, “Derech”.
Partia pretendon se në disa raste fletët e votimit mungonin plotësisht nga kabinat, ndërsa në raste të tjera ishin dëmtuar, vendosur përmbys ose mbi to ishin bërë shënime që mund t’i bënin të pavlefshme.
“Kushdo që përpiqet të vjedhë fletët e votimit, përpiqet të vjedhë zgjedhjet. Kjo përbën një shkelje flagrante të integritetit zgjedhor dhe të së drejtës themelore të qytetarëve për të votuar lirisht”, deklaroi partia Yashar.
Megjithatë, pretendimet e kësaj force politike nuk janë konfirmuar ende nga autoritetet zgjedhore.
Zgjedhjet konsiderohen vendimtare për të ardhmen politike të Izraelit, ndërsa sondazhet e fundit kanë treguar një garë të ngushtë mes bllokut të Netanyahut dhe atij të Eisenkotit.
Asnjëri prej blloqeve nuk parashikohet të sigurojë lehtësisht shumicën prej 61 mandatesh në Parlamentin me 120 vende, çka mund ta çojë vendin drejt negociatave të gjata për krijimin e një koalicioni qeverisës.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 22:00 sipas kohës lokale, kur pritet të publikohen edhe sondazhet e para pas votimit.
Numërimi i votave do të nisë menjëherë pas mbylljes së qendrave, ndërsa rezultatet e para paraprake pritet të bëhen publike gjatë natës së të martës duke u gdhirë e mërkura.
Megjithatë, procesi i plotë i numërimit mund të zgjasë deri të enjten, më 29 tetor, për shkak të votave të ushtarëve dhe kategorive të tjera të zgjedhësve që votojnë përmes zarfeve të posaçme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka afat ligjor deri më 4 nëntor për publikimin e rezultateve zyrtare, ndërsa mbetet për t’u parë nëse votimi do të prodhojë një shumicë të qartë parlamentare apo do ta përfshijë sërish Izraelin në një periudhë pasigurie politike. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

