Edi Rama / Kontrolli politik nga Tirana ka dobësuar bashkitë dhe ka përçarë strukturat socialiste. Një forcë që bashkon faktorët vendorë mund ta godasë Ramën aty ku pushteti i tij po humbet terren... Bashkia e Tiranës, pas burgosjes së Erion Veliajt, është kthyer në një institucion ku kaosi mbretëron në mënyrë totale.
Asnjë organ i bashkisë nuk jep llogari, por funksionon si një ent më vete dhe për llogari të vet.
Policia Bashkiake nuk është më një trupë që zbaton vendimet e bashkisë apo ekzekuton aktet juridike, kur zbatimi i tyre kërkon ndërhyrjen e një strukture të uniformuar.
Mjafton të shihet patrulla e përhershme te Pallati me Shigjeta, ku policët bashkiakë ndalojnë furgonët e bizneseve pa asnjë të drejtë ligjore.
Gjatë verës, kur shkollat janë të mbyllura, bie edhe arsyeja e vendimit të vjetër të Veliajt, sipas të cilit automjetet e furnizimit nuk duhet të qarkullojnë gjatë paradites. Për më tepër, ajo qarkore e “Lali Erit” i përket mandatit të tij të parë dhe nuk është rinovuar më pas.
Natyrisht, askush nuk e ka anuluar, sepse nuk ka qenë një akt ligjor, por një udhëzim organizativ. Policët bashkiakë nuk kanë të drejtë t’i ndalojnë automjetet për t’u kontrolluar dokumentet. Ligji nuk ua jep këtë kompetencë. Shoferët dhe drejtuesit e kompanive nuk e njohin këtë fakt, sepse, në të kundërt, mund ta padisnin Bashkinë e Tiranës dhe të kërkonin dëmshpërblime të konsiderueshme.
Policët bashkiakë duhet vetëm të devijojnë trafikun dhe t’u bëjnë të ditur operatorëve të furnizimeve se, për shkak të udhëzimit që lidhet me shkollat, nuk mund ta përdorin rrugën e Unazës.
Në realitet, policët bashkiakë veprojnë si taksidarë. Gjobat janë kthyer në një thes që drejtuesi i kësaj strukture e administron sipas dëshirës. Ato nuk duhet të shërbejnë si burim për financimin e buxhetit të bashkisë, por si sanksione për të parandaluar shkeljen e ligjit. Gjobat nuk janë as taksa dhe as tarifa. Policia Bashkiake vendos një pjesë të madhe të tyre në kundërshtim me ligjin, megjithëse përpiqet t’u japë një mbulesë ligjore. Kjo strukturë merr urdhra nga Edi Rama.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë, një ndërmarrje publike ku aksionere janë bashkitë e Tiranës dhe Kamzës, ndodhet sot nën kontrollin e kryeministrit. Drejtuesit kanë larguar të gjithë njerëzit e emëruar nga Erion Veliaj dhe i kanë zëvendësuar me persona që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Ramën.
E njëjta situatë përfshin ndërmarrjet e gjelbërimit dhe pastrimit, administratën e taksave dhe struktura të tjera. Sot Bashkia e Tiranës është një ngrehinë ku mbretëron kaosi, megjithëse institucioni i kishte të gjitha mundësitë të funksiononte normalisht pas burgosjes së Veliajt. Bashkia kishte një kryetar me kompetenca të plota, edhe pse në paraburgim, kishte nënkryetarë dhe një këshill bashkiak plotësisht funksional.
Çfarë ndodhi?
Edi Rama ndërhyri dhe vendosi se kush duhej të bëhej sekretar i përgjithshëm, kush drejtor dhe kush kryetar i komanduar. Ai zbatoi të njëjtën skemë në Durrës pas largimit të Vangjush Dakos. Skema vazhdon edhe sot, pasi kryetarja aktuale nuk e ka ushtruar asnjëherë realisht pushtetin. E njëjta situatë mbizotëron edhe në Vlorë, ku bashkia është shkatërruar dhe nuk ushtron autoritet në territor, megjithëse ka mundësi të renditet mes bashkive me të ardhurat më të larta.
E gjithë kjo ka vetëm një shpjegim. Edi Rama e di se një kryebashkiak i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët mund të kthehet në një lider politik. Kryebashkiaku mund të ndryshojë gjërat, të drejtojë institucionet në varësi dhe të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët që e kanë zgjedhur.
Dritan Leli, ish-kryebashkiaku i Vlorës, nuk ishte realisht një lider potencial. Ai nuk arriti t’i bashkonte lobet dhe grupet e ndryshme në Vlorë dhe hasi mjaft kundërshti. Megjithatë, sapo refuzoi ultimatumin e Ramës për t’u larguar, kryeministri e shpalli armik.
Shpëtim Gjika, i cili u bë kryebashkiak përpara sundimit të Edi Ramës në Partinë Socialiste, ishte i pari që u godit dhe u rrëzua, me qëllim që të mos ndërtonte rrugëtimin e tij politik.
Edi Rama nuk është përpjekur ta fshehë këtë model. Ai ka deklaruar hapur se nuk kërkon liderë, por administratorë dhe shërbyes.
Kjo mani autoritare i ka shkaktuar dëm edhe politikës. Partia Socialiste dhe grupet opozitare konkurrojnë për të përfituar nga favoret e Edi Ramës. Ky sistem zhvlerëson zgjedhjet, politikën dhe, mbi të gjitha, bashkitë dhe shërbimet që ato duhet t’u ofrojnë qytetarëve.
Pikërisht kjo mani ka shkatërruar çdo strukturë të pushtetit vendor në vend. Kryebashkiakët që nuk kanë marrëdhënie të mira me Edi Ramën ose nuk u binden urdhrave të tij nuk marrin fonde dhe rrëzohen, siç ndodhi në Poliçan. Në bashkitë ku drejtojnë shërbyesit e tij, askush nuk e merr vesh se kush urdhëron dhe kush mban përgjegjësi. Kryeministri mund t’i shkarkojë drejtorët me një mesazh telefonik ose t’i kthejë në objekt talljeje, siç ndodhi një vit më parë në Vlorë. Bashkia e Vlorës ende nuk e ka marrë veten.
E gjithë kjo situatë po i kthehet Edi Ramës kundër. Në zgjedhjet e ardhshme vendore, ai nuk do ta ketë të lehtë të bashkojë faktorët politikë të bashkive që Partia Socialiste i ka qeverisur pa ndërprerje. Sot, e vetmja mënyrë që një faktor brenda PS-së të tërheqë vëmendjen e publikut, madje edhe të vetë Ramës, është të sulmojë drejtuesit aktualë, sikur ata të mos i kishte vendosur vetë mazhoranca në pushtet.
Në zgjedhjet vendore, Rama rrezikon të përballet me Vaterlonë e tij politike. Nëse vendi do të ketë një opozitë serioze, e cila bashkon faktorët më të rëndësishëm në çdo bashki, ajo mund të fitojë. Beteja nis nga Tirana./Pamfleti zgjedhjet lokale vaterloja e pushtetit të edi ramës Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Rama “kërcënon” ministrat: Nuk mjaftojnë më takimet, fotografitë dhe propaganda 3 Shtator 2026, 11:0211:02Politike “Kemi munguar te halli i qytetarëve”, Rama u 'tërheq veshin' socialistëve: Qeveria që s’përmirësohet, duhet të hapë krahun 3 Shtator 2026, 10:5010:50Politike Rama kujtohet për përgjegjësitë e socialistëve: Çdo të premte, në orën 5 do jepni llogari 3 Shtator 2026, 10:4510:45Politike Rama: Investimet në Sazan dhe Zvërnec do të publikohen në seksionin “Pasqyra Flamingo” 3 Shtator 2026, 10:3710:37Politike Rama kujtohet pas 13 vitesh në pushtet: Shteti ka tre plagë që duhen kuruar 3 Shtator 2026, 10:3310:33Politike Rama mbledh sot deputetët e PS dhe ministrat, priten ndryshime në kabinet 3 Shtator 2026, 07:4207:42Politike

