Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të mbështesë një armëpushim që ndalon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, nëse Rusia angazhohet të bëjë të njëjtën gjë. Sipas tij, një marrëveshje e tillë mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës.
Deklarata e Zelenskyt vjen pas pretendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili njoftoi të dielën në rrjetet sociale se Ukraina dhe Rusia kishin arritur një armëpushim të tillë, duke shtuar se ai do të hynte në fuqi menjëherë.
Megjithatë, sipas Zelenskyt, menjëherë pas njoftimit të Trump, Rusia goditi një termocentral në Ukrainë, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, deklaroi se Kievi nuk e meriton “pushimin” që do të sillte një armëpushim. Ndërkohë, Kremlini nuk ka dhënë një konfirmim të qartë për arritjen e një marrëveshjeje, duke deklaruar se do të informojë publikun kur të ketë diçka konkrete për të njoftuar.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar gjithashtu Ukrainës të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në kuadër të përpjekjeve për të mundësuar përmbushjen e një marrëveshjeje të fundit për furnizimin me naftë të tregut amerikan dhe atij global. Top Channel

