Një 45-vjeçare është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se u merrte shuma të konsiderueshme parash familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019, duke u premtuar se do t’i ndihmonte të përfitonin banesa të reja ose dëmshpërblime.
Sipas hetimeve, Ina Cakaj dyshohet se paraqitej si person me lidhje dhe ndikim në administratë, duke u krijuar qytetarëve bindjen se mund të ndërhynte në procedurat për përfitimin e ndihmave apo banesave për familjet, banesat e të cilave ishin dëmtuar nga tërmeti.
Në këmbim të kësaj ndërhyrjeje të pretenduar, ajo dyshohet se kërkonte nga 1 mijë deri në 10 mijë euro për person.
Deri në këtë fazë të hetimit, rreth 30 qytetarë në zonën e Fushë-Krujës dyshohet se kanë rënë pre e skemës, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar llogaritet në rreth 60 milionë lekë të vjetra.
Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar dokumente dhe certifikata familjare që u përkasin personave të dyshuar se janë përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale ndaj 45-vjeçares janë referuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë ose prekur nga kjo skemë e dyshuar mashtrimi.

