Vala ekstreme e të nxehtit që përfshiu Europën gjatë verës së vitit 2026 dyshohet se shkaktoi 50 391 vdekje të parakohshme në 854 qytete, duke e bërë këtë verën më vdekjeprurëse për shkak të temperaturave të larta në periudhën e studiuar. Sipas dy studimeve të publikuara në revistën shkencore Nature Health, rreth dy të tretat e viktimave, ose 32 619 persona, lidhen me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Studimi u realizua nga shkencëtarë të Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine, të cilët analizuan të dhënat e temperaturave dhe ndikimin e tyre në vdekshmëri në 30 vende europiane, gjatë periudhës qershor-gusht 2026.
Sipas studiuesve, numri i vdekjeve të vlerësuara është rreth 71% më i lartë se në verën e vitit.
Italia regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve të vlerësuara, me 13 303 viktima, e ndjekur nga Franca me 7 268, Spanja me 6 824 dhe Gjermania me 6 340. Në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit vlerësuan 4 354 vdekje të parakohshme të lidhura me temperaturat e larta.
Pothuajse një e treta e vdekjeve të vlerësuara ndodhi gjatë një vale veçanërisht intensive të të nxehtit, nga 17 qershori deri më 1 korrik. Gjatë kësaj periudhe, temperaturat mesatare në qytetet e përfshira në studim ishin 5,3 gradë Celsius mbi normalen sezonale.
Në Europën Perëndimore, temperaturat mesatare të verës ishin rreth 2,9 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991–2020, ndërsa në disa ditë, në vende të caktuara, diferenca nga temperaturat historike arriti deri në 12 gradë Celsius.
Personat mbi 85 vjeç përbënin grupin më të prekur, me rreth 22 502 vdekje të vlerësuara, ose 45% të totalit. Megjithatë, ndikimi i të nxehtit nuk u kufizua vetëm te të moshuarit: studiuesit vlerësojnë se mijëra persona nën moshën 65 vjeç humbën jetën për shkak të temperaturave ekstreme.
Temperaturat e larta mund të rëndojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, të shkaktojnë goditje nga të nxehtit dhe të pengojnë organizmin të rikuperohet gjatë natës. Rreziku shtohet për personat që jetojnë vetëm, kanë të ardhura të ulëta ose nuk kanë akses në ambiente të freskëta. Top Channel

