Sami Bashalliu, kushëriri i Albi Bashalliut, ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me vrasjen e këtij të fundit, ngjarje e ndodhur më 27 dhjetor 2021 në ambientet e një lokali në Gjocaj të Peqinit.
Në dëshminë e tij, ai ka treguar se autori i dyshuar zbriti nga një automjet tip “Audi”, zhvilloi një bisedë me viktimën dhe më pas hapi zjarr ndaj tij. Sipas tij, pas krimit autorët dogjën automjetin e Bashalliut dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
"Pranë lokalit tim ka ndodhur një vrasje, rreth 3-4 vite më parë, pak para Vitit të Ri. Unë kam një biznes të vogël përpara shtëpisë, në fshatin Gjocaj të Peqinit. Atë mëngjes binte shi. Pashë një automjet tip "Audi", ngjyrë e bardhë, me targa shqiptare dhe xhama të errët, të ndaluar pranë lokalit. Gruaja më tha se makina dukej e dyshimtë. U afrova, por nuk pashë njeri brenda.
Pas pak, njëri prej personave që ndodhej në makinë zbriti, iu afrua Albi Bashaliut dhe shkëmbeu disa fjalë me të. Menjëherë më pas u dëgjuan të shtënat me armë. Nuk e kisha parë ndonjëherë atë person; mbante maskë. Ai e qëlloi Albin 2 ose 3 herë. Djemtë që ishin ulur në lokal u trembën, u ngritën dhe u larguan. Në automjet ndodheshin dy persona, por vetëm njëri prej tyre qëlloi.
Albi ra në tokë. Më pas autorët u kthyen në automjetin e tyre dhe i vunë flakën makinës së viktimës. Unë u futa brenda lokalit. Vetëm shikoja, nuk bëra asgjë. Albi nuk kishte ardhur te lokali ynë kohët e fundit, që pas vrasjes së vëllait të tij. Nuk dija asgjë për të kaluarën e tij. Vëllai i Albit, Leonardi, ishte vrarë disa vite më parë. Albi rrinte kryesisht në Itali. Sa i përket autorit të ngjarjes, kam dëgjuar të përflitej emri i Albert Xhahysës. Kështu flitej në zonë, por unë personalisht nuk di asgjë," tha Sami Bashaliu.

