-Jo 61 bashki po 45. Pse 45? Po sa? 100! Pse 100, po sa? Kungulleshka e një prej kolonave bazike të ndërtimit shtetëror të Republikës, po vijon sërish, ashtu siç edhe pritej. Komisioni i përbashkët ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në Parlament nuk ka arritur në një consensus politik, e palët kanë dalë me variantet e tyre, duke e kthyer debatin për numrin e bashkive dhe diskutimin për ta në një odise virale në rrjetet sociale. Ku rikthehen shpesh elementë që i mëshojnë karakteristikave të veçanta të krahinave të ndryshme, a thua se kemi të bëjmë me një hartë etnografike të vendbanimeve shqiptare. Ndarja territoriale nuk është një akt qarkullues administrative që shkrihet e ribëhet sa ndryshojnë drejtorët në një ndërmarrje pyjore. LEXO EDHE:Reforma Territoriale, deputeti Elezi shpjegon draftin e PS në Report TV : Shërbimet nuk largohen nga qytetarët, po krijojmë bashki më të forta për Shqipërinë në BE Ajo përbën një prej shtyllave bazë të një shteti, e cila, përveç faktorëve historikë e gjeografikë, ka një sërë arsyesh të tjera që bashkojnë vendbanimet në një njësi administrative bazike. Shqipëria, pas shpalljes shtet, reformën e parë e bëri në vitin 1913, kur u ndaj me 8 Prefektura. Të cilat ishin: Berati, Dibra, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Vlora. Në vitin 1927 Shqipëria kishte 10 prefektura, 39 nënprefektura, dhe 69 krahina me 2351 fshatra. Në vitin 1934 kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura, 160 komuna me 2351 fshatra, ndërsa në vitin 1940 kishte 10 prefektura, 30 nënprefektura, 23 bashki, 136 komuna dhë 2551 fshatra. Pas çlirimit, gjatë regjimit komunist pati disa ndryshime të ndarje territoriale të ndryshme, por më e rëndësishmja ishte ajo e vitit 1958, kur vendi u nda me 26 rrethe. Rrethi ishte organizimi administrative i menaxhimit të territoreve që përfshinte atë. Administrata e Rrethit, që kishte edhe këshillin e tij ishte pushteti vendor real. Ndërkohë këshillat e bashkuar në fshatra apo lagjet në qytete ishin kryesisht organizime ndihmëse dhe jo me kompetenca ekzekutive. Shteti komunist nuk kishte taksa, e as buxhete të pavarura të rretheve, pasi çdo qelizë e shtetit, ekonomisë dhe sektorë ndihmëse financohej nga shteti. Me rrëzimin e komunizmit në vitin 1990, organizimi territorial i vendit, si shumica e gjërave u bë “fshatçe”. Siç u nda toka fshatçe me 7501-shin e cooperative, ligjin e ndarjes së tokave më të mira të fermave, trojet shtetërore, apo pronat urbane që duheshin shpërndarë tek zotëruesit e vjetër e zaptuesit e rinj. “Demokracia” jonë postkomuniste rriti numrin e rretheve nga 26 te 36, duke yshtur në fillim trillet tribale dhe etnologjike të bajraqeve e feudeve të vjetra. Më pas u krijuan 44 bashki, të cilat administronin vetëm vijat e verdha të qyteteve dhe 313 komuna, të cilat qeverisnin territoret e ish-këshillave të bashkuar të komunizmit, domethënë një grumbull fshatrash. Ndërkaq, pas disa ndryshimeve që u bënë ndër vite, në vitin 2015, Shqipëria kishte 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna. Një pushtet lokal me tre nivele, kompetenca të kryqëzuara, njerëz që merrnin rrogën, por thuajse të gjitha njësitë ishin të pamundur që të funksiononin në mënyrë autonome financiarisht pa paratë e qeverisë. Edi Rama, kur fitoi zgjedhjet në vitin 2013, shpalli idenë e një reforme territoriale të thellë, me një projekt konkret në kokë. Partia Socialiste nuk i kishte votat e vetme për ta miratuar reformën, madje nuk kishte as shumicën qeverisëse në Kuvend, pasi zotëronte vetëm 65 deputetë. Partia Demokratike e Lulzim Bashës nën hijen liderit de fakto Sali Berisha bojkotoi reformën. PS-ja, së bashku me LSI-në e Ilir Metës, PDIU-në e Shpëtim Idrizit dhe PBDNJ-në e Vangjel Dules, miratuan në Kuvend 2/3-at ndarjen administrative aktuale me 12 qarqe dhe 61 bashkitë. Qarqet nuk kishin kompetenca ekzekutive në territor, por vetëm një administratë monitoruese apo supervizuese. Bashkitë nuk kishin më administrimin e vetëm vijës së verdhë të territoreve urbane, pra qyteteve, por edhe fshatrat e territoreve që ju bashkëngjitën njësisë administrative. Periudha 16 vjeçare e koalidimit të kësaj ndarjeje ka pasur përvojën e saj me probleme, defekte e në përgjithësi jo një standard uniform eficense. Kjo edhe sepse Shqipëria e sotme ka ndryshuar totalisht në aspektin demokrafik, por edhe në zhvillimin ekonomik e social. Zhvillimi është një rrugë që shtrohet vit pas viti, e siç është vënë re këto vite, lëmitë e prioriteteve ekonomike që ka sjellë koha dhe situatat në evolucion kanë përcaktuar fuqinë e njësive territoriale të vendit. Ku një bashki me më pak banorë se Himara, arrin të jetë më efiçente se një bashki me shumë më shumë banorë si Kamza për shembull. Kjo për arsye të industrisë dominuese në vend që po vjen çdo ditë e më shum e kushtëzojë kushtet social-ekonomike por edhe më gjerë të Shqipërisë së sotme. Bëhet fjalë për turizmin dhe sektorët që përfshin kjo industri në ekspansion. Ndërkaq, disa bashki të vogla, të cilët kanë numër të vogël banorësh dhe aktivitet inekzistent ekonomik, nuk arritën asnjëherë të vetëadministrohen pa oskigjenin e buxhetit të qeverisë. Megjithatë, palët politike, në konsultim edhe me ndërkombëtarët ranë dakord për të kryer një reform të re territoriale. E cila për mazhorancën e Edi Ramës konsiderohej një korrektim, e për opozitën e Sali Berishës një përmbysje. PS, përkatësisht vetë Edi Rama, e ka dhënë idenë e saj për reformën që ishte një reduktim i numrit të bashkive. Ndërkohë PD-ja kërkonte një shtim të numrit të bashkive, por pa dhënë një version të saj. Parlamenti ngriti komisionin me dy bashkëkryetarë, ku opozita kishte të drejtën e vetos. Megjithatë, edhe pse u shty afati i përcaktuar, PD-ja kërkoi tani që të shtyhej sërish afati deri në tetor. PS nuk pranoi dhe shpalli projektin e saj, që siç duket do të shkojë në Kuvend. Ky projekt përmban 46 bashki, duke bërë një shkrirje të disa bashkive më të vogla me ato më të mëdhatë. Siç pritej, debate u ndez jo pak, ku së pari shpërtheu zemërimi i bashkive të vogla, i kthyer në një revoltë, së bashku me diskutimin e vjetër të “një fshat, një tabjat”. Ndërkohë, opozita, që nuk foli asnjëherë se kishte një projekt nxori variantin e saj me 100 bashki. Të gjitha gjasat janë që të jetë një variant pilot i improvizuar me shpejtësi. Megjithatë, bëhet fjalë për bashkitë e para 2015-s dhe ndërtimit të të tjerave që janë marrë nga ish-komunat. Këtë variant të improvizuar sipas të gjitha gjasave, e ka mbështetur edhe Ilir Meta me një deklaratë të posaçme. i cili në 2015 ka qenë bashkëautor dhe jetik me LSI-në e tij që kjo reform territoriale të marrë miratimin në Parlament. Kontestimi deri tani i variantit të mazhorancës bëhet me argumente politike. Pasi sipas PD-së, ndarja aktuale administrative nuk është gjë tjetër veçse një hartë elektorale sipas interesit të saj. Këtu çështja ha shumë debat, pasi nuk është ndarja territorial që i jep avantazh një force politike apo një tjetër. PD për shembull, qoftë në 2015, e më pak në 2023 ka arritur të fitojë bashki me këtë ndarje administrative, madje edhe në territore që kanë qenë bastione të majta historikisht si Memaliaj, Pogradeci, Selenica etj etj. Fiksimi i PD-së që rritja e bashkive mund të rigjallërojë faktorizimin e saj në disa territore të veçanta është sipas të gjitha gjasave sipërfaqësor. Pasi është ngritur në konceptin e feudeve të vogla, ku mendohet se ekzistojnë baza më të forta politike. Në realitet Shqipëria ka ndryshuar totalisht në çdo aspekt, jo vetëm në demografi. Zgjedhjet e Shkodrës në 2023-shin janë dëshmia më e rëndësishme për këtë ndryshim që nuk është thjesht politik, por konceptual. Barrierat në territor kanë rënë, së bashku me feudet e vjetra dhe bajraktarët me vulat a babaqemos në xhep. Nëse ka diçka që opozita duhet të mbronte me forcë është jo vetëm fuqizimi i bashkive, por edhe rritja e legjitimitetit e përfaqësimit të kryetarit të bashkisë. Në reformën e tmerrshme Islami-Gjana-Liponen, Shqipëria braktisi zgjedhjen alla francize që e përdorin thuajse në të gjithë pushtetin local në Europë. Ku kryetari zgjidhet me mbi 50% të votave të atyre që kanë marrë pjesë. Nëse nuk arrin kuotën, bëhet një raund i dytë apo balotazh ku garojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Kështu kryetari i bashkisë nuk është më një nëpunës partie që mund të zgjidhet me vetëm votat e elektoratit të vet, por i duhet të kërkojë përtej hambarit politik. Duke sjellë një përfaqësim më të madh, legjitimitet më të madh, e pastaj edhe një afirmim politik më të rëndësishëm. Në Europë, liderët e rëndësishëm, përgjithësisht vijnë si kryebashkiakë të spikatur. Edi Rama është shembull i hershëm këtu, por më i freskëti është kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, ish-kryebashkiak i Mançesterit./TemA SI.E./Shqiptarja.com TAG: reforma territoriale ylli pata Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.0 / 5 (4 vlerësime) Faleminderit! Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 60.6% 100 bashki (PD) 14.8% 61 bashki (si sot) 24.6% Vota total: 822 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion iu pëlqen më shumë?

