Lajme Zone
Ylli i “Dawson’s Creek” zbulon se kishte tumor në tru: “Jam mirënjohëse që jam gjallë”
KulturëGazeta Tema

Ylli i “Dawson’s Creek” zbulon se kishte tumor në tru: “Jam mirënjohëse që jam gjallë”

Aktorja e njohur e “Dawson’s Creek”, Busy Philipps, ka rrëfyer për herë të parë betejën me një tumor në tru, i cili iu zbulua në një moment veçanërisht të vështirë për të, vetëm pak ditë pas vdekjes së mikut dhe ish-bashkëaktorit të saj, James Van Der Beek.

Aktorja e njohur e “Dawson’s Creek”, Busy Philipps, ka rrëfyer për herë të parë betejën me një tumor në tru, i cili iu zbulua në një moment veçanërisht të vështirë për të, vetëm pak ditë pas vdekjes së mikut dhe ish-bashkëaktorit të saj, James Van Der Beek.

Philipps, 47 vjeç, zbuloi për PEOPLE se një skanim i plotë i trupit në shkurt të këtij viti evidentoi një masë 2.6 centimetra në tru. Analizat e mëtejshme treguan se bëhej fjalë për një oligodendrogliomë të gradës së dytë, një tumor i rrallë dhe me rritje të ngadaltë. Aktorja, e cila interpretoi Audrey Liddell në “Dawson’s Creek”, tha se nuk kishte simptoma tipike si krizat epileptike dhe se mjeku i saj fillimisht nuk e kishte konsideruar të nevojshëm një skanim. Megjithatë, ajo këmbënguli të kërkonte një vlerësim të dytë dhe vendosi t’i nënshtrohej një MRI-je të plotë.

“Ne shpesh u themi mjekëve se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, ndërkohë që ti e ndjen se diçka nuk shkon”, tha Philipps në intervistën për PEOPLE. Ajo tregoi se prej rreth dy vitesh u kishte thënë miqve se “truri i saj ndihej i prishur”, por kishte menduar se ndryshimet që po përjetonte mund të lidheshin me perimenopauzën. Mjekët nuk kanë konfirmuar nëse këto shqetësime kishin lidhje me tumorin. Koha kur vendosi të kryente skanimin ishte veçanërisht e rëndë. James Van Der Beek, me të cilin kishte luajtur në “Dawson’s Creek”, kishte vdekur më 11 shkurt, në moshën 48-vjeçare, pas betejës me kancerin kolorektal. Philipps po përgatitej për skanimin në ditët pas vdekjes së tij dhe, sipas rrëfimit të saj, kishte diskutuar edhe mundësinë për ta anuluar. Ish-bashkëshorti i saj, Marc Silverstein, e nxiti të shkonte. Skanimi çoi në një MRI të mëtejshme dhe më pas në diagnostikimin e tumorit. Më 2 mars, Philipps iu nënshtrua një operacioni rreth pesë orësh, gjatë të cilit u hoq masa 2.6 centimetra. Biopsia konfirmoi oligodendrogliomën e gradës së dytë. Vetëm dy ditë pas ndërhyrjes, aktorja u kthye në shtëpi. Ajo tha se, pavarësisht se kishte më shumë se 40 kapëse kirurgjikale në ballë, nuk kishte pasur dhimbje të konsiderueshme. Por periudha e vështirë nuk përfi me operacionin e parë. Gjatë xhirimeve të serialit “Cupertino”, projekt që Philipps e kishte përshkruar si punën e saj të ëndrrave, ajo zbuloi se kishte zhvilluar një infeksion stafilokoksik në plagën kirurgjikale. Për këtë arsye iu desh t’i nënshtrohej një tjetër ndërhyrjeje. Pavarësisht komplikacioneve, aktorja thotë se ndihet me fat që tumori u zbulua herët. Për momentin, ajo nuk ka nevojë për kimioterapi apo radioterapi, ndërsa do t’i nënshtrohet kontrolleve të rregullta për të monitoruar gjendjen. Philipps e ka përshkruar këtë periudhë si “gjashtë muajt më të çuditshëm” të jetës së saj. Në fund të rrëfimit të saj, ajo shprehu mirënjohjen për faktin që tumori u zbulua në kohë.

“Jam mirënjohëse që jam gjallë”, tha aktorja.