Pentagoni po rivlerëson praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, ndërsa një nga skenarët që po shqyrtohet është edhe reduktimi i trupave amerikane në Gjirin Persik, pas dëmeve të shkaktuara nga sulmet iraniane gjatë konfliktit. Sipas The Washington Post, e cila citon tetë burime, përfshirë zyrtarë dhe persona të njohur me çështjen, Departamenti amerikan i Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e një rikonfigurimi të rëndësishëm të pranisë ushtarake të SHBA-së në rajon.
Nëse SHBA-të vendosin të zvogëlojnë praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, kjo mund t’i vendosë aleatët amerikanë në rajon përballë një situate të vështirë, pasi do të kishin më pak mbështetje nga ombrella amerikane e sigurisë kundër kërcënimeve iraniane.
Bazat kryesore ushtarake amerikane në rajon kanë pësuar dëme serioze nga sulmet iraniane, sipas dy personave të njohur me analizën. Situata i ka dhënë Pentagonit një mundësi për të rishqyrtuar mënyrën se si është organizuar prania amerikane në Lindjen e Mesme.
Pentagoni ka deklaruar se mund të mos i rindërtojë bazat ushtarake në të njëjtën formë siç ishin para konfliktit, ndërsa kostoja e dëmeve dhe rindërtimit mund të kalojë 5 miliardë dollarë.
Përveç dëmtimit të bazave, SHBA-të kanë humbur gjashtë ushtarë në një sulm iranian ndaj bazës amerikane në Kuvajt dhe katër të tjerë në Jordani. Në të njëjtën kohë, forcat amerikane kanë përdorur një pjesë të konsiderueshme të rezervave të raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe sistemin anti-balistik THAAD.
Vlerësimi po drejtohet nga Zyra e Politikave të Pentagonit. Sipas The Washington Post, çështja po studiohet gjithashtu nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila është përgjegjëse për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk ka urdhëruar ende një shqyrtim formal të qëndrimit ushtarak të SHBA-së në rajon. Vendimi përfundimtar pritet të merret në nivelet më të larta të administratës amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA-së ka zakonisht rreth 40 mijë trupa të dislokuara në rreth 20 baza, nga Omani deri në Jordani. Pjesa më e madhe e pranisë amerikane është e përqendruar në vendet e Gjirit Persik, përfshirë Bahreinin, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë, dhe Kuvajtin, ku SHBA-të kanë baza ushtarake dhe ajrore. Top Channel

