Sokrat Vata, 29-vjeçari i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së një shtetasi francez rreth 20 vjeç në Ksamil, rezulton të ketë një të shkuar penale në Britaninë e Madhe. Sipas një artikulli të BBC-së të publikuar në vitin 2024, Vata ishte dënuar me pesë vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për disa vepra penale të lidhura me trafikimin e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Sipas BBC-së, Vata, atëherë 27 vjeç, ishte përfshirë në dy ndjekje të veçanta policore, në Cambridge dhe Kent. Më 13 prill 2024, në A20 pranë East Malling, ai nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe gjatë ndjekjes automjeti që drejtonte u përmbys. Brenda makinës policia gjeti qese me kokainë dhe targa automjetesh. Më 30 prill, në Cambridge, Vata u përfshi në një tjetër ndjekje, ndërsa drejtonte një makinë të vjedhur. Ai braktisi automjetin në Clara Rackham Street dhe u largua në këmbë, por u arrestua pasi u gjet i fshehur në oborrin e pasmë të një banese.
Gjatë arrestimit, në xhepat e tij u gjetën 560 paund cash, ndërsa në automjet u sekuestruan edhe targa të tjera. Testet treguan se ai kishte drejtuar nën efektin e drogës, ndërsa policia deklaroi se gjatë arratisjes kishte hedhur një pako me kokainë në një shkurre. Vata kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim nën efektin e drogës. Më 25 shtator 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi me pesë vite burg.

