Hetimet për vrasjen e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës po marrin një tjetër drejtim, pasi kontrollet e fundit në zonën ku u gjet trupi i viktimës kanë çuar në zbulimin e provave të reja. Krahas katër gëzhojave të tjera të gjetura nga policia, grupi hetimor dyshon se në ngjarje mund të jetë përfshirë edhe një person i tretë, përveç bashkëshortes dhe djalit të viktimës, të cilët ndodhen në pranga.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në terren, rreth 500 metra larg banesës së familjes Fiku, efektivët kanë gjetur katër gëzhoja pistolete. Sipas dyshimeve paraprake, ato mund të jenë shkrepur nga e njëjta armë zjarri e sekuestruar më herët nga policia.
Materialet janë marrë në cilësinë e provës materiale dhe pritet t'i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse kanë lidhje me armën e sekuestruar.
Shpërndarja e gëzhojave në disa pika të terrenit ka ngritur dyshime se viktima mund të jetë ndjekur nga autori, i cili ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Sipas pistës që po verifikohet nga hetuesit, një prej plumbave e ka kapur Urim Fikun në shpinë, duke e rrëzuar në tokë.
Dyshimet janë se pas të shtënave, viktima është goditur edhe me sëpatë në kokë, duke pësuar dëmtime të rënda në pjesën e kafkës. Për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, prokuroria dhe policia kanë kërkuar sqarime nga ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët duhet të përcaktojnë nëse vdekja ka ardhur si pasojë e plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit apo nga goditja me mjet prerës.
Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë, i cili dyshohet se banon në afërsi të vendit ku ndodhi krimi. Identifikimi i tij mbetet një nga objektivat e hetuesve.
Ndërkohë, bashkëshortja e viktimës, Sadete Fiku, ka ndryshuar versionin e saj për ngjarjen. Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka deklaruar se Urim Fiku nuk është vrarë nga një ari, siç ishte pretenduar fillimisht, por se mund të ketë kryer vetëvrasje.
Ky pretendim nuk përputhet me dyshimet e grupit hetimor, pasi plumbi ka hyrë në trupin e viktimës nga pjesa e shpinës dhe ka dalë në gjoks. Sipas hetuesve, kjo rrethanë e bën të pabesueshëm versionin e vetëvrasjes, ndërsa prania e pesë gëzhojave në total përforcon dyshimet për përdorimin e armës nga një person tjetër.
Edhe djali i viktimës, Gazmir Fiku, i cili akuzohet për përfshirje në vrasje, ka mohuar autorësinë e krimit. Ai ka deklaruar para oficerëve të policisë se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ndodhej në punë, ku ushtron detyrën e përgjegjësit të OSHEE-së në zonën e Bulqizës.
Sipas dëshmisë së tij, rreth dy orë përpara se të merrte telefonatën nga e ëma për ngjarjen, kishte qenë duke pirë kafe pranë komisariatit të policisë dhe më pas ishte drejtuar në zyrat e OSHEE-së.
Për të mbështetur këtë version, Gazmir Fiku u ka kërkuar hetuesve të verifikojnë pamjet e kamerave të lokalit përballë komisariatit dhe të ambienteve të punës, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve të tij.
Megjithatë, hetimi është përqendruar edhe te një sërë rrethanash të tjera që sipas grupit hetimor kërkojnë shpjegim. Mes tyre janë fshirja e regjistrimeve nga sistemi DVR i kamerave të banesës, gjetja e rrobave të prera me gërshërë dhe të hedhura në tualetin e shtëpisë, si dhe sëpata me njolla gjaku.
Në fokus të hetuesve janë gjithashtu pistoleta e sekuestruar, e cila dyshohet se është përdorur në krim, gjendja e saj në momentin e gjetjes, gëzhoja e parë e sekuestruar dhe versioni fillestar për sulmin e një ariu.
Tashmë, ekspertizat balistike dhe mjekoligjore, së bashku me verifikimin e provave të mbledhura, pritet të hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e vrasjes dhe rolin që mund të ketë pasur secili prej personave të dyshuar në këtë ngjarje.

