Lajme Zone
Vrasja e portugezit në Ksamil: Kontrolle në gjithë vendin për kapjen e pronarit trafikant
Të tjeraJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Vrasja e portugezit në Ksamil: Kontrolle në gjithë vendin për kapjen e pronarit trafikant

Policia ka intensifikuar kërkimet për kapjen e Bekim Bulicës, pronarit të “Principotes”, dhe Daniel Gjanës, alias David Heurtevent, të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.

Policia ka intensifikuar kërkimet për kapjen e Bekim Bulicës, pronarit të “Principotes”, dhe Daniel Gjanës, alias David Heurtevent, të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.

Sipas raportimeve, kontrollet janë shtrirë në disa zona të vendit, ndërsa forcat e policisë po verifikojnë informacionet që mund të çojnë në lokalizimin e dy personave të kërkuar. Kontrolle raportohet se janë kryer në Vorë, Kukës dhe zona të ndryshme të Tiranës.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar Vorës, ku dyshohet se mund të jetë fshehur Daniel Gjana. Paralelisht vijojnë kërkimet edhe për Bekim Bulicën, i cili është shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë.

Hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që dy të kërkuarit të kenë lënë territorin shqiptar. Një nga pistat që po verifikohet është kalimi i tyre drejt Kosovës.

Si ndodhi vrasja e turistit portugez?

Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç, kishte ardhur në Shqipëri së bashku me një grup turistësh për të pushuar në Ksamil. Por pushimet e tij përfunduan tragjikisht pas një konflikti në ambientet e “Principotes”.

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, konflikti dyshohet se nisi pas një debati për një vajzë dhe më pas situata u përshkallëzua. Në përleshje u përfshinë edhe pjesëtarë të stafit të lokalit.

Raportohet se David Heurtevent, i cili ndodhej si klient në lokal, ka goditur fillimisht me grushte turistin portugez. Më pas, sipas hetimeve, në konflikt janë përfshirë edhe disa prej punonjësve të “Principotes”.

Sipas dinamikës së dyshuar nga hetuesit, Sokrat Vata e ka nxjerrë të riun nga ambientet e lokalit dhe e ka dërguar drejt zonës së beach bar-it “Paradise”, ku dyshohet se e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagët fatale.

Pas ngjarjes, Vata dyshohet se është larguar nga vendi i krimit me ndihmën e Moisid Matushajt, efektiv policie që punonte edhe si truprojë në “Principotes”. Më pas ai është arrestuar në Levan, ku raportohet se ishte fshehur në bagazhin e një automjeti.

Në pranga kanë rënë gjithashtu dy shtetas turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të cilët sipas deklarimeve të tyre kishin njohje dhe raporte shoqërore me Vatën.

Ndërkohë, në kërkim vijojnë të jenë David Heurtevent dhe Bekim Bulica. Heurtevent dhe Vata akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim, ndërsa Bulica po kërkohet nga autoritetet për rolin e tij të dyshuar në ngjarje.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe kamarierët Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, të cilët sipas hetimeve kanë goditur turistin.

Në ambientet e lokalit, në rolin e truprojave, ndodheshin edhe efektivi i Policisë së Shtetit Moisid Matushaj, punonjësi i Policisë Bashkiake Romeo Shehu dhe Kristi Koshi. Ata janë nën hetim për mosndërhyrjen për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe mosnjoftimin në kohë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë pezulluar nga detyra.

Grupi i turistëve me të cilët udhëtonte 20-vjeçari, mes tyre shtetas francezë dhe portugezë, kanë deklaruar se nuk e kanë parë momentin e vrasjes dhe se janë informuar për tragjedinë vetëm mëngjesin pas ngjarjes, kur në vendngjarje mbërriti policia.

Ndërsa hetimet vijojnë, autoritetet po punojnë për të lokalizuar dy personat e shpallur në kërkim dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes së rëndë që tronditi Ksamilin dhe komunitetin e turistëve të huaj.