Lajme Zone
Vrasja e modeles 28-vjeçare, dalin detaje të rënda/ Prokuroria: Kishin siguruar edhe një makinë grirëse mishi
BotëGazeta Tema

Vrasja e modeles 28-vjeçare, dalin detaje të rënda/ Prokuroria: Kishin siguruar edhe një makinë grirëse mishi

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur në gjyqin për vrasjen e modeles dhe influencueses hongkongase Abby Choi, e cila u vra në shkurt të vitit 2023 në një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar.

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur në gjyqin për vrasjen e modeles dhe influencueses hongkongase Abby Choi, e cila u vra në shkurt të vitit 2023 në një ngjarje që tronditi opinionin ndërkombëtar.

Më shumë se tre vite pas krimit, Prokuroria ka paraqitur në gjykatë versionin e saj mbi mënyrën se si, sipas akuzës, ishte planifikuar dhe realizuar vrasja e 28-vjeçares.

Në qendër të procesit janë ish-bashkëshorti i Choi-t, Alex Kwong, babai i tij Kau Kwong dhe vëllai Anthony Kwong. Të tre përballen me akuzën e vrasjes dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas Prokurorisë, përgatitjet për krimin kishin nisur disa ditë përpara ngjarjes. Një banesë në zonën e Tai Po ishte marrë me qira dhe aty, sipas akuzës, ishin dërguar paraprakisht mjete dhe pajisje që dyshohet se do të përdoreshin pas vrasjes.

Mes tyre, prokurorët kanë përmendur edhe një makinë për grirjen e mishit, duke pretenduar se pajisjet ishin siguruar në kuadër të një plani për të fshehur gjurmët e krimit.

Prokuroria e vendos momentin kryesor të ngjarjes më 21 shkurt 2023.

Sipas versionit të paraqitur në gjykatë, Choi u bind të hipte në një automjet pasi iu tha se do të shkonte të merrte vajzën e saj nga shkolla. Por, sipas akuzës, gjatë rrugës situata ndryshoi dhe 28-vjeçarja u sulmua.

Prokurorët pretendojnë se Choi u godit në kokë me një çekiç dhe më pas u dërgua në banesën e marrë me qira në Tai Po.

Sipas akuzës, aty u kryen veprime për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të zhdukur provat.

Një nga pikat kryesore të procesit është edhe motivi i dyshuar financiar.

Prokuroria pretendon se pas vrasjes qëndronte një konflikt për një pronë luksoze me vlerë rreth 60 milionë dollarë hongkongas, afërsisht 7.6 milionë dollarë amerikanë.

Sipas akuzës, mosmarrëveshja mbi pronën dhe interesat financiare të lidhura me të luajtën një rol në planifikimin e vrasjes.

Rasti i Abby Choi shkaktoi reagime të mëdha ndërkombëtare kur u bë publik në vitin 2023. Modelja dhe influencuesja 28-vjeçare ishte një figurë e njohur në Hong Kong dhe rrethanat e rënda të vdekjes së saj e kthyen çështjen në një prej proceseve kriminale më të ndjekura në vend.

Tashmë, më shumë se tre vite pas krimit, Prokuroria po paraqet provat e saj para gjykatës, ndërsa të akuzuarit vazhdojnë të deklarohen të pafajshëm.

Përgjegjësia penale e tyre do të përcaktohet nga gjykata në përfundim të procesit.