Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Kristjan Sterjo, i dyshuari për krimin, i cili u arrestua rreth 6 orë pas ngjarjes, ka dhënë dëshminë e tij para grupit hetimor lidhur me rrethanat dhe motivin e konfliktit që përfi në mënyrë tragjike.
Sipas dëshmisë së tij, përplasja me 20-vjeçarin kishte nisur disa ditë përpara ngjarjes dhe lidhej me disa episode të mëparshme mes tyre. Një nga shkaqet që dyshohet se ka përshkallëzuar konfliktin ka qenë edhe një pretendim për ngacmimin e të dashurës së autorit të dyshuar.
Por hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve. Sipas të dhënave të deritanishme, ata kishin pasur debate dhe konflikte verbale, ndërsa dyshohet se mes tyre kishte pasur edhe ngacmime e provokime të ndërsjella. Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për arsye të dobëta dhe lidhej edhe me pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, vijoi të përshkallëzohej përmes sharjeve dhe përplasjeve të vazhdueshme.
Sipas dëshmisë së Sterjos, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit. Më pas e ka qëlluar me një plumb pas shpine, plagë e cila rezultoi fatale për Johan Zukon.
Pas ngjarjes, Sterjo u largua nga vendi i krimit dhe qëndroi i fshehur në një zonë pranë varrezave të qytetit. Rreth 6 orë më vonë, ai u largua nga zona dhe u afrua drejt banesës së tij. Pikërisht në këtë moment u pikas nga forcat e Policisë, të cilat ndërhynë menjëherë për arrestimin e tij.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes. Dëshmia e autorit të dyshuar, së bashku me provat e administruara gjatë hetimit, pritet të ndihmojë në përcaktimin e saktë të rrethanave dhe motivit që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko. Autori Kristjan Sterjo Viktima Johan Zuko Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet

