Lajme Zone
Votëbesim për Abdixhikun, LDK mbledh sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, 355 delegatët vendosin për fatin e tij politik
PolitikëTop Channel

Votëbesim për Abdixhikun, LDK mbledh sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, 355 delegatët vendosin për fatin e tij politik

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të votojnë për të vendosur nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të votojnë për të vendosur nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet nga posti i kryetarit. Kuvendi është thirrur pasi u përmbushën procedurat statutare dhe kërkesa u mbështet nga të paktën një e treta e delegatëve, kriter i nevojshëm për organizimin e një mbledhjeje të jashtëzakonshme.

Sipas njoftimit të LDK-së, Sekretariati i Përgjithshëm verifikoi se ishin plotësuar të gjitha kushtet statutare për zhvillimin e procesit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, caktoi mbajtjen e Kuvendit për datën 30 korrik, me fillim në orën 18:00, në përputhje me kompetencat e parashikuara në Statutin e partisë.

Nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit u dorëzuan në mesin e muajit korrik. Pas nisjes së procesit, Abdixhiku pezulloi negociatat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës deri në përfundimin e votëbesimit ndaj tij.

Nëse ai merr mbështetjen e delegatëve dhe konfirmohet në krye të LDK-së, pritet t’u rikthehet bisedimeve për formimin e institucioneve, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 gusht.

LDK ka bërë të ditur se i gjithë procesi do të zhvillohet në përputhje me Statutin e partisë, parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve. Top Channel