Policia Rrugore e Vlorës ka nisur një aksion të gjerë kontrollesh në disa pika të qytetit, me fokus evidentimin e automjeteve me gjoba të prapambetura dhe drejtuesve që shkelin rregullat e Kodit Rrugor. Kontrollet janë zhvilluar në disa akse, ndërsa një prej pikave është ngritur në hyrje të qytetit, ku efektivët ndalojnë automjetet dhe verifikojnë dokumentacionin dhe sjelljen e drejtuesve në rrugë. Në fokus të aksionit janë drejtuesit që nuk përdorin rripin e sigurimit, ata që përdorin telefonin gjatë drejtimit të automjetit, si dhe personat për të cilët ka dyshime për përdorim të lëndëve narkotike. Gjithashtu, sipas informacioneve, kontrollet përfshijnë edhe verifikimin e automjeteve për sende të kundërligjshme që mund të mbahen në brendësi të tyre. Aksioni pritet të vijojë për disa ditë me radhë, ndërsa deri më tani raportohet për një numër të lartë gjobash të vendosura për parregullsi dhe shkelje të Kodit Rrugor.
