Dhjetëra qytetarë pritet të mblidhen sot, e shtunë, pranë kantierit të Muzeut Hebraik në Vlorë, për të protestuar kundër ndërtimit të tij në qendrën historike të qytetit. Protesta është njoftuar për orën 10:00 dhe organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të shprehur kundërshtimin e tyre.
Kundërshtimet lidhen si me vetë ndërtimin e muzeut, ashtu edhe me vendndodhjen e tij, veçanërisht për faktin se projekti po zhvillohet në territorin ku ndodhet Muzeu Etnografik, i njohur edhe si klubi “Labëria”. Protestuesit shprehen se ndërtimi në këtë zonë mund të prekë karakterin historik të qendrës së Vlorës.
Ndërkohë, punimet në kantier kanë vijuar dhe në terren tashmë janë të dukshme strukturat e soletës së katit nëntokë. Kundërshtarët e projektit kërkojnë që muzeu të ndërtohet në një hapësirë tjetër, duke shmangur ndërhyrjet në zonën historike dhe objektet ekzistuese. Protesta pritet të shërbejë si një tjetër thirrje për rishikimin e projektit dhe vendndodhjes së tij.

