Një krap gjigant ka befasuar peshkatarin 71-vjeçar nga Frakulla e Fierit, pasi pas dekadash peshkimi në lumin Vjosa arriti të nxjerrë nga ujërat e tij një ekzemplar me peshë 21.5 kilogramë.
Petrit Troka, i apasionuar pas peshkimit prej më shumë se katër dekadash, arriti të kapte me grep një nga ekzemplarët më të mëdhenj të hasur në zonë. Peshku, i njohur nga banorët vendas edhe si “pendëkuq”, u bë menjëherë objekt kurioziteti për komunitetin.
Peshkatari veteran tregon se kjo është vetëm hera e dytë në gjithë vitet e tij pranë Vjosës që arrin të kapë një krap të tillë. Rekordi personal i tij mbetet një tjetër peshk i kapur shumë vite më parë, me peshë 23 kilogramë.
“Kam mbi 40 vjet që merrem me peshkim. Shumë vite më parë kam kapur një tjetër krap të madh, rreth 23 kilogramë. Ndërsa ky i fundit peshon 21.5 kilogramë”, tregon Petriti.
Pas dekadash pranë brigjeve të Vjosës, peshkatari thotë se lumi ende vazhdon ta befasojë me pasurinë e tij natyrore dhe gjallesat që fsheh në thellësitë e ujërave.

