Kancelari gjerman Friedrich Merz ka mbërritur mëngjesin e së diellës në kryeqytetin ukrainas, Kiev, me një tren special, në një vizitë shtetërore e cila nuk ishte njoftuar më parë për arsye sigurie. Në përbërje të delegacionit gjerman, përveç ministres së Ekonomisë Katherina Reiche, janë edhe rreth dhjetë përfaqësues të kompanive kryesore gjermane nga sektorët e mbrojtjes dhe energjisë. Fokusi kryesor i këtij udhëtimi është përshkallëzimi i mbështetjes ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën. Sipas burimeve zyrtare nga qeveria gjermane, Gjermania do t’i dorëzojë forcave të armatosura ukrainase mijëra dronë interceptorë përgjatë muajve të ardhshëm, me qëllim goditjen e dronëve rusë me motor reaktiv. Gjithashtu, do të zgjerohet prodhimi i përbashkët i armëve me rreze të gjatë veprimi mes dy vendeve, ku do të alokohen rreth 1 miliard euro nga fondet e miratuara buxhetore. Përveç paketës ushtarake, Gjermania ka caktuar edhe 350 milionë euro për riparimin e termocentraleve dhe rindërtimin e infrastrukturës energjetike të dëmtuar nga sulmet ruse. Me të mbërritur në Kiev, Kancelari Merz u prit nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ku morën pjesë edhe në një ceremoni përkujtimore për ushtarët e rënë në luftë. “Ukraina ka nevojë për të gjithë mbështetjen tonë për javët e ardhshme. Po hyjmë në dimrin e pestë të luftës dhe sulmet ruse ndaj qyteteve e infrastrukturës energjetike po vazhdojnë,” u shpreh Merz. Gjatë fjalës së tij për gazetarët, kancelari gjerman i drejtoi një mesazh të drejtpërdrejtë e të prerë presidentit rus Vladimir Putin:
“Z. Putin, ndaloni këtë luftë të pakuptimtë! Ne jemi gati për bisedime, jemi gati të diskutojmë se si ta përfjmë këtë luftë. Por këto sulme barbare ndaj popullsisë civile të Ukrainës duhet të ndalen menjëherë. Rusia kupton vetëm gjuhën e forcës.”
Udhëtimi i delegacionit gjerman po zhvillohet në kushte të rrepta sigurie. Vetëm një ditë më parë, Rusia u kishte bërë thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largoheshin nga Kievi për shkak të rrezikut nga sulmet ajrore.
Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, mëngjesin e sotëm një dron rus goditi një rrugë pranë urës veriore mbi lumin Dnieper, çka konfirmon situatën e tensionuar në kryeqytet gjatë zhvillimit të vizitës zyrtare. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
