Vizita e shefit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë këtë javë dyshohet se kishte si një nga qëllimet kryesore paralajmërimin e Rusisë që të mos ndërmarrë sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Sipas Wall Street Journal dhe CBS, udhëtimi vjen në një kohë kur agjencitë amerikane të inteligjencës shqetësohen se Moska mund të jetë duke testuar vendosmërinë e aleancës. Wall Street Journal raporton se presidenti rus Vladimir Putin mund të shqyrtojë mundësinë e një “sulmi të kufizuar” ndaj NATO-s në vitet e ardhshme. Sipas raportimeve, Ratcliffe synoi të përcillte një mesazh të qartë për pasojat e një skenari të tillë. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump e minimizoi rëndësinë e vizitës. Në një intervistë me komentatorin konservator Glenn Beck, Trump e cilësoi udhëtimin e shefit të CIA-s në Moskë si “gjysmë rutinë”, duke thënë se diskutimet kishin të bënin kryesisht me luftën në Ukrainë. Sipas mediave amerikane, gjatë qëndrimit në Moskë Ratcliffe foli edhe për situatën në Iran dhe mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja nëse nuk hapet Ngushtica e Hormuzit. Trump, megjithatë, mohoi se vizita lidhej me Iranin apo kërcënimet e mundshme ruse ndaj NATO-s. Kremlini: Nuk u takua me Putinin Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi vizitën e Ratcliffe në Moskë, por tha se shefi i CIA-s nuk u takua me presidentin Vladimir Putin.
Sipas Peskov, bisedimet u zhvilluan “ndërmjet shërbimeve sekrete”, ndërsa ai i cilësoi kontaktet si pozitive. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit nuk dha detaje mbi temat e diskutuara.
Peskov tha gjithashtu se është ende herët për të vlerësuar ndikimin e vizitës në përpjekjet për të rikthyer marrëdhëniet SHBA-Rusi nga kriza e thellë në të cilën ndodhen.
Vizita e fundit e njohur e Ratcliffe në Rusi ishte në nëntor 2021, vetëm disa muaj përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

