Analisti dhe politologu Ermal Hasimja e ka cilësuar vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një fitore personale të liderit të Partisë Demokratike, por jo një zhvillim që sipas tij mund të ndryshojë në mënyrë vendimtare perceptimin e elektoratit ndaj opozitës. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të Nisida Tufës në News24, Hasimja tha se çështja e rikthimit të Berishës në SHBA ka një rëndësi të veçantë për të personalisht dhe për mbështetësit e tij. “Unë mendoj që vizita e Berishës në Amerikë është një fitore personale e tij”, u shpreh ai. Megjithatë, sipas Hasimjës, kjo vizitë nuk adreson problemet kryesore që kanë krijuar mosbesim ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi. Ai argumentoi se shqetësimet e shqiptarëve nuk lidhen në mënyrë dominuese me statusin e Berishës, por me probleme të tjera të opozitës, si mungesa e besueshmërisë, pamundësia për të frymëzuar qytetarët dhe dobësitë në organizimin e strukturave. “Unë mendoj që vizita e Berishës në Amerikë është një fitore personale e tij.
Mendoj që për aq sa e njoh unë qoftë direkt qoftë për shkak të punës që kam bërë para 20 vjetësh si ish-këshilltar i tij ose dhe për shkak të televizionit më tepër e mendoj që në mentalitetin në mendësi në mënyrën se si funksionon kjo çështja e vendosjes së nderit në vend është një çështje shumë e rëndësishme për atë personalisht është e rëndësishme natyrisht edhe për berishistët brenda PD-së, të gjithë ata që janë mbështetës fanatikë të të Berishës. A i hyn kjo në punë një gjë Partisë Demokratike? Me thënë të vërtetën nuk mendoj. Domethënë patjetër që hyn në punë, por nuk mendoj që kjo do të jetë një faktor determinant, vendimtar, i cili do të ndryshojë qasjen e elektoratit ndaj Partisë Demokratike. Sepse po të shohësh shqetësimet e shqiptarëve sot nuk del me ndonjë vend, nuk figuron me ndonjë vend çështja e nongratës së Berishës. Madje dhe në raport me po të shikosh edhe arsyet të analizosh gjatë gjithë këtyre viteve, pesë viteve të fundit të paktën që është marrë nongrata. Po të analizosh arsyet pse njerëzit janë mosbesues ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësie, por në rastin konkret sidomos ndaj Partisë Demokratike nuk kanë lidhje me nongratën e Berishës. Kanë lidhje me probleme të tjera, me faktin që PD nuk arrin dot të bëhet e besueshme, frymëzuese për njerëzit, nuk arrin dot të ndërtojë struktura që të jenë të mobilizuara, funksionale, efikase. Domethënë dhe këto probleme nuk i zgjidh vizita e Berishës në në Shtetet e Bashkuara.”, tha ai. Duke folur për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, Hasimja tha se interesat amerikane në Shqipëri janë kryesisht strategjike dhe lidhen me stabilitetin, funksionimin e demokracisë, anëtarësimin e vendit në NATO dhe luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës. Sipas tij, SHBA-të nuk kanë një interes ekonomik të jashtëzakonshëm në Shqipëri, por vendi ka rëndësi në kuadër të politikës amerikane në rajon dhe të aleancës euroatlantike. Hasimja theksoi gjithashtu se lufta kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar është kthyer në një çështje me rëndësi për sigurinë kombëtare amerikane, ndaj edhe Shqipëria mbetet nën vëmendjen e Washingtonit në këtë drejtim. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: ermal hasimja
