Lajme Zone
Vijon situata apokaliptike e zjarreve në Francë dhe Spanjë/ 130 mijë të evakuuar, autoritetet kërkojnë ndihmë nga BE-ja
BotëTop Channel

Vijon situata apokaliptike e zjarreve në Francë dhe Spanjë/ 130 mijë të evakuuar, autoritetet kërkojnë ndihmë nga BE-ja

Franca dhe Spanja po përballen me një situatë dramatike nga zjarret, më e rënda e kaluar ndonjëherë.

Franca dhe Spanja po përballen me një situatë dramatike nga zjarret, më e rënda e kaluar ndonjëherë. Deri më tani, autoritetet raportojnë se janë evakuuar mbi 130 mijë njerëz në të dyja vendet, të cilat kanë kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për të luftuar flakët.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, tha se 110 mijë njerëz janë evakuuar nga zonat jugperëndimore, pasi zjarret kanë djegur deri më tani mbi 14 mijë hektarë tokë.

“Nuk kemi parë kurrë një zjarr të kësaj madhësie”, tha ministri francez, duke shtuar se rreth 50 zjarrfikës janë plagosur gjatë të premtes në luftën me flakët.

Autoritetet franceze e përshkruajnë situatën si të paprecedentë, ndërsa dhanë alarmin se zjarret po shkojnë drejt lindjes, duke rrezikuar zonën metropolitane të Bordeaux, aeroporti i së cilës tashmë është mbyllur.

I gjithë gadishulli i njohur francez, Cap Ferret, në bregdetin e Atlantikut, i zgjedhur për pushime nga francezë dhe shumë personazhe të njohura ndërkombëtare, është evakuuar, pas alarmit të emergjencës që iu dërgua çdo turisti.

E njëjta situatë dramatike paraqitet edhe përtej kufirit të Francës, në Spanjë, ku janë evakuuar mbi 25 mijë njerëz dhe më shumë se 20 mijë janë në izolim. Autoritetet thanë se po bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar bashkimin e zjarrit në Avila me ato në Madrid.

Ata u shprehën se situata është komplekse dhe do të vijojnë evakuimet në këto zona. Pasditen e të premtes, dy zjarre në perëndim të Madridit ishin bashkuar, duke përkeqësuar situatën në kryeqytetin spanjoll. Top Channel