Këtë të diel vijoi protesta e 64-t e organizuar nga aktivistë dhe qytetarë, ndërsa edhe këtë fundjavë u raportua pjesëmarrje e shqiptarëve të ardhur nga diaspora. Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas u nisën në marshim drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’u ndalur para godinës së Kryeministrisë. Edhe në protestën e kësaj të diele nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Mesazhet e protestuesve mbetën të njëjta si në ditët e mëparshme, me thirrjet “dorëheqje”, “atdheu është i yni, Zoti me shqiptarët”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama, jepe dorëheqjen”. Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit nisën marshimin e përnatshëm në rrugët e Tiranës, duke vijuar mobilizimin e tyre edhe në ditën e 64-t të protestës.
