Disa qytetarë kanë zgjedhur të protestojnë këtë mëngjes, në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor. Një grup protestuesish po marshonin nga Zogu i Zi me flamuj në duar dhe thirrje, kur u ndaluan nga efektivët e policisë.
Disa prej tyre janë shoqëruar, madje, në një video të publikuar më poshtë shihet teksa efektivi ushtron dhunë ndaj qytetarit.
Pamjet tregojnë qartë momentin kur polici grushton në bark qytetarin, i mbajtur forcërisht nga efektivët e tjerë për t’u shoqëruar në furgonin e policisë. Pas kësaj ka reaguar edhe drejtori i përegjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili shprehet se efektivi i “Shqiponjave”.
Reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.
Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj. Top Channel

