Lajme Zone
VIDEO/ Kundër propozimit të PS për “Territorialen”, kryebashkiaku i Poliçanit kritika të ashpra: Na i keni hequr të gjitha kompetencat
PolitikëBalkanWeb

VIDEO/ Kundër propozimit të PS për “Territorialen”, kryebashkiaku i Poliçanit kritika të ashpra: Na i keni hequr të gjitha kompetencat

Kryetari socialist i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e 15 bashkive, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin për atë që e cilëson si dobësim të vazhdueshëm të pushtetit vendor.

Kryetari socialist i Bashkisë Poliçan, Adriatik Zotkaj, ka dalë kundër propozimit për shkrirjen e 15 bashkive, duke ngritur njëkohësisht shqetësimin për atë që e cilëson si dobësim të vazhdueshëm të pushtetit vendor. Në një deklaratë të bërë në maj, gjatë diskutimit në Komisionin për Reformën Territoriale, Zotkaj tha se kryetarëve të bashkive u janë kufizuar ndjeshëm kompetencat dhe se sot drejtuesit vendorë nuk e ndjejnë më veten realisht në krye të institucioneve që drejtojnë. “Ne na janë hequr të gjitha kompetencat si kryetar bashkie”, deklaroi Zotkaj, duke shtuar se çështja nuk lidhet me interesat e tij personale, por me mënyrën se si funksionon pushteti vendor. Ai solli si shembull edhe kufizimin e mandateve për kryetarët e bashkive, duke e konsideruar këtë një problem kushtetues. Sipas tij, kryetarët përballen çdo ditë me qytetarët, por kanë gjithnjë e më pak mjete dhe kompetenca për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. “Unë nuk mendoj se ndonjë nga kolegët e mi e ndjen veten kryetar bashkie”, u shpreh ai.

Zotkaj tha se kjo ishte hera e parë që për një çështje të tillë pozicionohej në krah të përfaqësuesve të opozitës. Ai theksoi se nuk e sheh debatin si një përplasje politike, por si një çështje që prek drejtpërdrejt komunitetet lokale.

“E kam mbyllur karrierën politike dhe nuk më intereson lufta me pushtetin, por nuk mund të hesht përpara atyre njerëzve që më kanë votuar 25 vjet rresht”, tha kryebashkiaku socialist.

Kundërshtimi për shkrirjen e bashkive

Duke folur për propozimin e ri territorial, Zotkaj kërkoi që vendimmarrësit të marrin në konsideratë pasojat konkrete që do të kishte shkrirja e bashkive mbi komunitetet.

Ai iu referua veçanërisht Bashkisë Poliçan, duke pretenduar se pas një shkrirjeje do të prekej një numër i madh punonjësish dhe biznesesh.

Sipas tij, rreth 1,068 të punësuar dhe 400 biznese do të ndodheshin në një situatë të re pas ndryshimit të kufijve administrativë.

Në të njëjtën kohë, Zotkaj vlerësoi rritjen e pagave në administratën vendore, duke thënë se kjo ka ndihmuar në rikthimin e profesionistëve dhe intelektualëve në pushtetin vendor.

Deklaratat e kryebashkiakut të Poliçanit rikthejnë në qendër të debatit pyetjen nëse një reformë e re territoriale do të sjellë më shumë eficiencë apo do të largojë më tej vendimmarrjen nga komunitetet që preken drejtpërdrejt prej saj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: PS