Tiranë – Katër persona janë arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “INVESTING”, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim dhe një grua po procedohet në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në mashtrime përmes platformave online.
Operacioni është zhvilluar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me strukturat e Krimeve Kibernetike dhe Forcës së Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Sipas Policisë, gjatë ndërhyrjes në një ambient në rrugën e Kavajës, të përshtatur me poste pune, u kapën në flagrancë E. Xh., G. N., E. D., E. H. dhe E. A. Ata dyshohet se mashtronin shtetas të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian përmes platformave online. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan E. Xh., 40 vjeç, G. N., 42 vjeç, E. D., 32 vjeç dhe E. H., 31 vjeç.
Ndërkohë, pronari i ambientit, T. B., 45 vjeç, është shpallur në kërkim, ndërsa E. A., 23 vjeçe, po procedohet në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, 19 telefona celularë, 7 laptopë dhe materiale të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin e paligjshëm.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
