Kanë shkuar në 49 numri i ditëve që qytetarët e Divjakës protestojnë kundër propozimit për reformën territoriale dhe bashkimit të bashkisë së tyre me Lushnjën. Edhe këtë mbrëmje, në sheshin e Divjakës, protesta vijoi me thirrje kundërshtuese. Pavarësisht pjesëmarrjes më të ulët krahasuar me ditët e para, protestuesit thonë se do të vijojnë qëndresën kundër ndryshimit të statusit të bashkisë. Qytetarët e Divjakës kërkojnë që qyteti të vijojë të jetë bashki më vete, duke argumentuar se ruajtja e institucionit vendor lidhet edhe me ofrimin e shërbimeve më pranë komunitetit dhe ruajtjen e identitetit të zonës. Protestuesit kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën dhe kërkojnë që të kenë mundësinë të zgjedhin vetë drejtuesit vendorë, të cilëve më pas t’u kërkojnë edhe llogari për mënyrën e qeverisjes së bashkisë. Protesta e 49-të u mbyll me një marshim në rrugët e qytetit, ku qytetarët përsëritën thirrjet për ruajtjen e statusit të Divjakës si bashki. “Divjaka bashki!” ishte një prej thirrjeve kryesore të protestuesve. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Divjaka protesta
