Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi nga Prishtina se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të respektohet, duke theksuar se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Në një konferencë për media pas takimeve me drejtuesit e Kosovës, Von der Leyen u ndal te vendimi i 16 shtatorit, me të cilin Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u dënuan me burgim për krime lufte. LEXO edhe...'Stabiliteti institucional është themeli', Von der Leyen apel Kosovës: Zgjidhni presidentin dhe vazhdoni reformat drejt BE-së “Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme. E çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi. Ky aktgjykim u dha nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet”, tha Von der Leyen. Ajo shtoi se, pavarësisht vendimit, “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Lidhur me aktgjykimin, kryeministri Albin Kurti shprehu shqetësim për konkluzionet të aktgjykimit dhe dënimet e shqiptuara, duke thënë se beson se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike që duhet të korrigjohen në procedurën e apelit. “Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, tha Kurti. Ai shtoi se Kosova kërkon drejtësi për të gjitha viktimat e luftës, për çdo krim dhe për çdo kryerës, duke përmendur edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Lajmi në përditësim Ora 15:06 'Stabiliteti institucional është themeli', Von der Leyen apel Kosovës: Zgjidhni presidentin dhe vazhdoni reformat drejt BE-së Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha nga Prishtina se stabiliteti institucional është kusht për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ndërsa theksoi se hapi i radhës pas krijimit të institucioneve është zgjedhja e Presidentit.“Kuvendi dhe qeveria janë themeluar, kjo është mirë. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit apo presidentes. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparim në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, deklaroi Von der Leyen.Ajo ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës dhe bëri të ditur se vendi mund të përfitojë deri në 882 milionë euro përmes Planit të Rritjes, ndërsa deri tani ka marrë 62 milionë euro parafinancim.“Plani i Rritjes mund t'ju çojë më afër drejt tregut të përbashkët dhe ju duhet ta kapni këtë mundësi”, tha ajo.Presidentja e Komisionit Evropian u ndal edhe te procesi i roaming-ut dhe anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në SEPA.“Tani keni kryenegociatorin e emëruar dhe shpresojmë që negociatat të fillojnë”, u shpreh ajo për roaming-un, ndërsa shtoi se miratimi i legjislacionit përkatës do t'i hapte Kosovës rrugën drejt anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro (SEPA).Von der Leyen foli edhe për marrëdhëniet mes komuniteteve në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së karakterit multietnik të vendit.“E ardhmja evropiane e Kosovës varet nga shoqëria që e ndërton. Kosova duhet të ruajë karakterin multietnik, të ndërtojë besimin me komunitetin serb”, deklaroi ajo, duke përfunduar se beson në të ardhmen evropiane të Kosovës. Share Ora 15:00 Kurti kërkon mbështetjen e Von der Leyen: Kosova të anëtarësohet në organizatat evropiane dhe të marrë statusin e kandidatit në BE Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen,mbështetje për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendi i plotëson kriteret për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave.“Që nga takimi ynë i parë, Kosova ka shënuar përparim të qëndrueshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut”, u shpreh Kurti në konferencën e përbashkët me von der Leyen,Sipas tij, Kosova ka pasur një nga rritjet më të shpejta të treguesve demokratikë në rajon, ndërsa ekonomia vazhdon të rritet me rreth 4% në vit dhe borxhi publik mbetet ndër më të ulëtit në Evropë. Ai shtoi se vendi është plotësisht i harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.Kurti tha gjithashtu se Qeveria ka miratuar dhjetë nga 12 ligjet e Planit të Rritjes që kishin afat në qershor dhe paralajmëroi se vonesat në Kuvend mund të rrezikojnë fondet evropiane të dedikuara për reformat.Duke folur për kërkesat që i parashtroi Von der Leyen, ai tha se ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, si dhe integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në kornizën evropiane të akreditimit.“Këta hapa do të mundësonin qarkullimin më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të mallrave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe do të lehtësonin qasjen e bizneseve kosovare në tregun unik evropian”, tha Kurti. Share U.D/ReportTv.al Albin Kurti Ursula von der Leyen kosova Gjyqi ndaj UCK ne Hage Komento Komente Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 73% Jo 22.9% Jam i/e dyzyuar 4.1% Vota total: 1535 Sondazhi i ditës: Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?

