Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësime për procedurën e transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke theksuar se të paraburgosurit nuk i është vënë në dispozicion urdhri i transferimit dhe nuk i janë bërë të ditura arsyet konkrete të vendimit. Pas pretendimeve të bëra publike nga Veliaj, përfaqësues të KShH-së zhvilluan më 30 tetor 2026 një mision monitorimi në IEVP Fier. Gjatë vizitës, monitoruesi zhvilloi një takim konfidencial me Veliajn, inspektoi ambientet ku ai mbahet dhe u takua me drejtuesit dhe personelin e institucionit. Sipas raportit të Komitetit, Veliajt i është njoftuar transferimi më 28 tetor, por pa iu dorëzuar dokumentacioni përkatës dhe pa iu shpjeguar fillimisht se në cilin institucion do të dërgohej. Monitoruesi arriti të këqyrë për një kohë të kufizuar urdhrin e transferimit. Në dokument, motivi ishte shënuar në mënyrë të përgjithshme si “për arsye sigurie”, ndërsa urdhri mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet. KShH vlerëson se transferimi për arsye sigurie parashikohet nga legjislacioni, por duhet të mbështetet në rrethana konkrete, të dokumentuara dhe të verifikueshme. Komiteti ngre gjithashtu pikëpyetje mbi bazën ligjore të klasifikimit të urdhrit, duke theksuar se nga shqyrtimi paraprak i ligjit për informacionin e klasifikuar nuk rezulton e qartë se përse ky dokument duhet të klasifikohet në interes të sigurisë kombëtare. “Siguria e një institucioni penitenciar dhe siguria kombëtare nuk janë domosdoshmërisht koncepte të barasvlershme”, thekson Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Sipas KShH-së, mungesa e transparencës për arsyet e transferimit dhe moskomunikimi i urdhrit mund të pengojnë ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit. Në raport evidentohen gjithashtu shqetësime lidhur me komunikimin me familjarët, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e trajtimit në paraburgim.
Komiteti thekson se statusi i të paraburgosurit nuk e privon një person nga të drejtat që nuk i janë kufizuar me ligj ose me vendim gjykate dhe se autoritetet penitenciare duhet t’i garantojnë ato pa diskriminim. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

