Lajme Zone
Veliaj ‘shkarkoi’ Ristanin, PD kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit: Kush e drejton Bashkinë e Tiranës dhe kush firmos?
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Veliaj ‘shkarkoi’ Ristanin, PD kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit: Kush e drejton Bashkinë e Tiranës dhe kush firmos?

Këshilltarja e PD-së, Ilda Zhulali, kërkon sqarime se kush ka aktualisht autoritetin vendimmarrës në Bashkinë e Tiranës dhe nëse njihet firma e Erion Veliajt. Në mbledhjen urgjente kërkon të diskutohet edhe kriza e transportit urban dhe rreziku i reduktimit të autobusëve.

Këshilltarja bashkiake e Partisë Demokratike, Ilda Zhulali, kërkon thirrjen urgjente të Këshillit Bashkiak të Tiranës për të sqaruar se kush e drejton aktualisht bashkinë. Kërkesa vjen 2 ditë pasi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka tërhequr delegimin e kompetencave për Anuela Ristanin, e cila prej shkurtit 2025 ishte kryetare e komanduar. Zhulali kërkon sqarimin e personit që ka autoritetin për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte administrative. Ajo pyet gjithashtu nëse Bashkia e Tiranës vijon ta njohë firmën e Veliajt si vullnet legjitim vendimmarrës. LEXO EDHE:Veliaj i hoqi kompetencat për drejtimin e Tiranës, Anuela Ristani dorëhiqet si nënkryetare e Bashkisë “Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?”, thuhet në kërkesë. Në shkresë ngrihet edhe shqetësimi për krizën financiare të operatorëve të transportit publik dhe rrezikun e reduktimit të autobusëve në qarkullim. “Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional”, vijon shkresa. Veliaj i tërhoqi Ristanit kompetencat me argumentin se ajo nuk kishte zbatuar urdhrat e tij dhe se kishte munguar koordinimi institucional. Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar. Reagimi i plotë: E nderuar Zj. Kryetare, I. Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës. Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon: 1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo? 2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani? 3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë? 4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës? 5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese? 6.A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës? Kujtoj se një situatë e ngjashme u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj.Ristani dhe në vend të saj u emërua znj.Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!! II. Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare te Transportit Qytetas dhe Shoqatës se Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik. Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon: 7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban? 8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse? 9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik? 10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse. Në bazë të sa më sipër, kërkoj 1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend të ditës situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban. 2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak. 3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës. Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional. Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar, Ilda Zhulali Këshilltare Nënkryetare e Grupit Partia Demokratike Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë R.Xh/Shqiptarja.com TAG: Këshilli Bashkiak i Tiranës PD anuela ristani ilda zhulali erion veliaj bashkia tirane Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento I lire: 31/08/2026 17:18 Perse ekziston kjo pyetje?! Bashkine e Tiranes e drejton kryetari i bashkise se Tiranes. Sic u shpreh 2 here gjykata kushtetuese. Perse i drejtohet Megit kjo pyetje? Duhej ti shkonte violinistit Përgjigju Sondazhi i ditës:

30 Gusht, 11:16

Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë? Politika 30.4% Drejtësia 65.9% Nuk e di 3.6% Vota total: 1823 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 30 Gusht, 11:16 Bashkia e Tiranës pa drejtues në zyrë, kush e ka përgjegjësinë?