Pas kërkesës për të qenë në Asamblenë e PS-së, kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës mbi të cilin rëndojnë 13 akuza të rënda penale, Erion Veliaj i ka kërkuar kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, të ngrejë një komision hetimor për ato që ai i quan kërcënime dhe ndërhyrje të kryeministrit Edi Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Veliaj thekson se ka kërkuar të hetohet nëse transferimi i tij nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për ta detyruar të pranojë organizimin e protestave në Tiranë dhe të japë dorëheqjen si kryebashkiak.
Kryebashkiaku Veliaj thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me Gogun, ndërsa shton se i njëjti standard vlen edhe për Kryeministrin.
Ai nënvizon se kërkesën ia ka dërguar shumicës parlamentare të partisë së tij, pasi, sipas tij, kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Veliaj thotë se për këtë çështje ka vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe ka kërkuar ruajtjen e provave dokumentare dhe audiovizive. “Sot i jam drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, me kërkesën për inicimin e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar mbi ndërhyrjet dhe kërcënimet që kam deklaruar se janë ushtruar ndaj meje nga Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.
Kam kërkuar të hetohet nëse transferimi im nga Durrësi në Fier dhe kushtet e paraburgimit janë përdorur si instrumente presioni për të më detyruar të pranoj organizimin e protestave në Tiranë dhe të jap dorëheqjen nga mandati që më kanë besuar qytetarët e kryeqytetit.
Jam i gatshëm të dëshmoj nën betim përpara Kuvendit, sipas ligjit, të ballafaqohem me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, dhe të paraqes çdo provë që disponoj. Kam kërkuar gjithashtu që Kryeministri Edi Rama t’i nënshtrohet të njëjtit standard llogaridhënieje.
Kërkesën ia kam drejtuar shumicës parlamentare të partisë sime, sepse kontrolli kushtetues mbi qeverinë nuk mund të kushtëzohet nga përkatësia politike e atyre që duhet të japin llogari.
Kam vënë në dijeni edhe Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës dhe trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe kam kërkuar ruajtjen e menjëhershme të provave dokumentare dhe audiovizive.
Nuk kërkoj që Kuvendi t’i marrë si të mirëqena deklarimet e mia. Kërkoj që t’i hetojë. Mandati i një kryetari bashkie buron nga vota e qytetarëve dhe vota e qytetarëve nuk mund të bëhet objekt shantazhi politik”, thuhet në reagimin e Veliajt./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

