Një debat i ashpër është zhvilluar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përplasur me ministrin Blendi Gonxhe dhe deputetët socialistë për protestat, dhunën ndaj demonstruesve dhe anulimin e eventeve për shkak të bllokimit të rrugëve. Gjatë diskutimeve, Gonxhe ngriti shqetësimin për anulimin e aktiviteteve ndërkombëtare, duke argumentuar se bllokimi i rrugëve nga protestuesit pengon jetën sociale dhe aktivitetet e qytetit. Ai e krahasoi situatën me protestat e viteve 1991 dhe 1996, duke e pyetur Zhupën nëse ajo i konsideronte të njëjta. Deputetja demokrate reagoi ashpër, duke akuzuar qeverinë për dhunë ndaj protestuesve dhe duke përmendur rastet e të rinjve të plagosur gjatë përplasjeve me policinë.
Zhupa nuk la pa pwrmendur edhe konfliktin qw ka nisur mes socialisstwve, pas letrave tw kryebashkiakut tw Tiranws Erjon Veliaj nga burgu.
“Unë mbaroj për letrat nga burgu ku hani kokat e njëri-tjetrit. Më persekutuan, tha zoti Veliaj. Është armik i partisë tani? Nuk kam asgjë për të thënë, veç ju shtofshin inatet dhe lufta”, deklaroi Zhupa. Referenca e Zhupës lidhet me reagimet e fundit të Erion Veliajt, i cili një ditë më parë publikoi shënime nga ditari i tij, ku rrëfeu përmbajtjen e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burgun e Fierit. Veliaj pretendon se përmes ministrit, kryeministri Rama i kishte përcjellë disa kërkesa, mes tyre delegimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës te Arbër Hajdari, si dhe heqjen dorë nga përfaqësimi ligjor prej avokatit Plarent Ndreca. Në shënimet e publikuara, kryebashkiaku i Tiranës mohoi kategorikisht të ketë organizuar apo financuar protestat studentore dhe lëvizjen “Flamingot”. Ai ironizoi pretendimet se mund të organizonte rrëzimin e rendit kushtetues nga qelia, duke pyetur: “Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu?”. Veliaj pretendoi gjithashtu se akuzat për përfshirjen e tij në protesta janë sajesa dhe se transferimi në burgun e Fierit, së bashku me mesazhet që thotë se i janë përcjellë, synojnë ta detyrojnë të heqë dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
Në një tjetër pjesë të reagimit të tij, Veliaj iu drejtua Ramës me tone të ashpra, duke deklaruar se nuk do të përkulet nga presioni dhe as nga kërcënimet që pretendon se i janë bërë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
