Lajme Zone
Vehapi nga Kamza godet policen me tullë: Ashtu ma dha truri, s’kisha pirë hashash
EkonomiJOQ Albania

Vehapi nga Kamza godet policen me tullë: Ashtu ma dha truri, s’kisha pirë hashash

Një 25-vjeçar nga Kamza i quajtur Vehap Tota, është arrestuar nga policia dhe më pas është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet se ka goditur me tullë një punonjëse policie gjatë një ndërhyrjeje në banesën e tij.

Një 25-vjeçar nga Kamza i quajtur Vehap Tota, është arrestuar nga policia dhe më pas është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi akuzohet se ka goditur me tullë një punonjëse policie gjatë një ndërhyrjeje në banesën e tij.

Ngjarja ka ndodhur më 21 gusht 2026, në rrugën “Paqësori”, në zonën e Frutikulturës në Kamëz. Sipas të dhënave të bëra pjesë e dosjes hetimore, efektivët e Komisariatit Nr. 5 kishin shkuar në banesën ku jetonte Tota me bashkëjetuesen e tij, Audeta Tahiri, me qëllim shoqërimin e kësaj të fundit.

Tahiri dyshohej nga policia për përfshirje në djegien e automjetit të shtetasit L. Hoti, ngjarje e ndodhur më 18 gusht në Kamëz.

Rreth orës 18:00, punonjësit e policisë janë nisur drejt banesës dhe në momentin e mbërritjes, Vehap Tota u ka deklaruar efektivëve se gruaja që kërkonin nuk ndodhej në banesë.

Megjithatë, gjatë kontrollit, policia ka gjetur brenda shtëpisë Audeta Tahirin dhe ka vendosur ta shoqërojë atë në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me dyshimet për djegien e automjetit.

Në këtë moment situata është përshkallëzuar. Sipas hetimeve, Vehap Tota ka kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe ka nisur të hedhë në drejtim të efektivëve gurë dhe tulla.

Një prej tullave ka goditur punonjësen e policisë M.D. në pjesën e shpatullës dhe kurrizit, duke e rrëzuar në tokë dhe duke e lënë për disa çaste pa ndjenja.

Efektivët e tjerë kanë ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë koleges së tyre. Ajo është dërguar fillimisht në qendrën shëndetësore të Kamzës dhe më pas, me ambulancë, në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, policia ka shoqëruar në komisariat edhe Audeta Tahirin.

Disa orë pas ngjarjes, Vehap Tota është arrestuar. Për të, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Gjatë marrjes në pyetje, 25-vjeçari ka pranuar autorësinë e goditjes ndaj punonjëses së policisë. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se e ka goditur efektiven me tullë nga pas dhe se në atë moment ka qenë i tensionuar dhe i irrituar.

Sipas deklarimeve të tij, Tota ka pretenduar se ishte i mërzitur, nuk kishte para dhe nuk kishte konsumuar hashash, duke e lidhur gjendjen e tij të rënduar emocionale me reagimin ndaj policisë.

“...është e vërtetë se unë kam qëlluar policen me tullë nga pas. Kjo ngaqë nuk kishte pirë hashash dhe isha mërzitur dhe nuk kam pasur lekë. Ashtu ma dha truri dhe ashtu bëra, kjo ka qënë arsyeja.”

Ai ka shprehur gjithashtu pendesë për veprimin, duke deklaruar se tashmë ishte vonë për të ndryshuar atë që kishte ndodhur. Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësinë penale të 25-vjeçarit.

Vehap Tota nuk është i panjohur për policinë dhe drejtësinë. Më herët, ai është proceduar dhe dënuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja”.