Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën se është konfirmuar identiteti i tri viktimave pas zhvarrimit të mbetjeve mortore të zbuluara në varreza masive në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës. Kurti shkroi në Facebook se raportet e ADN-së kanë konfirmuar se tri viktimat i përkasin grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe. LEXO edhe...Dënimi i krerëve të UÇK-së, avokati i Thaçit 'zbërthen' pasojat e verdiktit: Specialja po njollos luftën e UÇK-së, e lidhi pavarësinë e Kosovës me krimet e luftës Kryeministri nuk tregoi me emër dhe mbiemër se kush ishin viktimat, por tha se familjet e tri viktimave të identifikuara janë njoftuar qysh sot. Njoftimi i tij vjen gati dy muaj pasi u zbuluan tri varre masive në këtë komunë në veri të vendit, ku u gjetën mbetje mortore të së paku 23 njerëzve. Në fund të muajit të kaluar, autoritetet kosovare i dërguan në Hagë të Holandës mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Kurti tha se Kosova pret t'i pranojë edhe raportet e tjera për mostrat e dërguara për identifikim përmes analizës së ADN-së "në ditët dhe javët në vijim". "Me shpresën që edhe familjet e tjera të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh. Asnjë përgjigje nuk mund ta shuajë dhimbjen e humbjes, por njohja e së vërtetës i jep fund ankthit të pritjes për të mësuar fatin e më të dashurve", tha Kurti. Varrezat në Zbuin Potok u zbuluan rreth dy muaj më parë pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas autoriteteve kosovare. Prokuroria Speciale e Kosovës po i heton për këtë rast katër persona, J.R., M.J., R.K dhe M.B., të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Që të katër ndodhen në paraburgim. Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave. Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës. Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme. Kurti, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe për sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se do t'iu kërkojë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, ta shtojnë trysninë ndaj Serbisë për t'i zbatuar zotimet për hapjen e arkivave, për të ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së njerëzve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë./REL Xh.K/ReportTv.al Albin Kurti kosove varreza zubin patok Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.1% Të gabuar 89.2% Nuk e di 4.7% Vota total: 4298 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

