Një bibliotekë publike do të ishte ndoshta ndër vendet e fundit ku do të prisje të dëgjoje vargje që i thurin lavde një diktatori. Por në Lushnjë, mesa duket, historia paska bërë një kthesë të çuditshme dhe Enver Hoxha është rikthyer në skenë, këtë herë mes librave, duartrokitjeve dhe një aktiviteti kulturor.
Në ambientet e Bibliotekës së qytetit, brenda godinës së Muzeut të Lushnjës, është recituar një vjershë kushtuar ish-diktatorit Enver Hoxha, me vargje që e paraqesin atë në një dritë glorifikuese. Në sallë janë dëgjuar edhe këngë e duartrokitje.
Dhe këtu vjen pjesa që e bën situatën edhe më absurde: e gjithë kjo ka ndodhur në prani të kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e cila, sipas raportimeve për aktivitetin, ka qenë e pranishme në sallë dhe më pas ka mbajtur edhe fjalën e saj.
Pra, në një institucion publik të kulturës, ku teorikisht shkohet për të lexuar libra, promovuar kulturën dhe kujtesën historike, u gjet hapësirë edhe për një “homazh” poetik ndaj diktatorit që la pas mijëra familje të përndjekura, të burgosura, të internuara dhe viktima të regjimit komunist.
Me pak fjalë, nga “lexo një libër” te “recito për Enverin” qenka vetëm një aktivitet kulturor larg.
Dhe nëse dikush mendon se problemi është vetëm një vjershë, pikërisht këtu qëndron absurdi. Nuk bëhet fjalë për një bisedë private në një dhomë, por për një aktivitet në hapësira publike, në një institucion që administrohet nga pushteti vendor. Vetë Bashkia Lushnjë e paraqet bibliotekën si Bibliotekën e Qytetit dhe e përfshin atë në strukturat e saj institucionale.
Në një vend ku ende ka familje që kërkojnë eshtrat e të afërmve të zhdukur nga diktatura dhe njerëz që mbajnë mbi vete pasojat e atij regjimi, glorifikimi i figurës së Enver Hoxhës në një aktivitet publik nuk është tamam ajo që qytetarët presin të financohet e të organizohet në institucionet e tyre.
Ironia bëhet edhe më e fortë kur mendon se kemi të bëjmë me një bibliotekë. Vendi ku duhet të ruhet kujtesa, historia dhe mendimi kritik, u kthye për pak çaste në një skenë ku diktatori mori vargje, këngë dhe duartrokitje.
Mbetet tashmë që Bashkia Lushnjë të shpjegojë se si u lejua një përmbajtje e tillë në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e saj dhe cili ishte qëllimi i këtij momenti. Sepse një institucion publik nuk është pronë e drejtuesit të radhës dhe as skenë private për nostalgjitë politike të askujt.
Videon e aktivitetit e ka publikuar në rrjetet sociale deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi. Ai e ka cilësuar ngjarjen si “një turp të madh” dhe “një skandal bashkiak”, duke kërkuar reagim publik nga kryetarja e Bashkisë Lushnjë dhe masa ndaj organizatorëve. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

