Hulumtimet e reja zbulojnë se si temperaturat ekstreme mund të rrisin rrezikun e vetëvrasjes duke ndërprerë gjumin dhe rregullimin emocional, duke nxjerrë në pah një kërcënim të fshehur për shëndetin mendor. Nxehtësia ekstreme mund të bëjë më shumë sesa thjesht ta lodhë trupin. Ajo mund të prishë gjithashtu gjumin, të dobësojë kontrollin emocional dhe të rrisë cenueshmërinë ndaj shqetësimeve serioze psikologjike.Lexo edhe:A është dieta nordike më e shëndetshme se dieta mesdhetare? Një studim i ri ka identifikuar temperaturat në të cilat nxehtësia ekstreme shoqërohet me rritje të shqetësimit psikologjik, duke zbuluar se si çrregullimi i gjumit dhe vështirësitë në rregullimin e emocioneve mund të kontribuojnë në rrezikun e vetëvrasjes. Studimi u drejtua nga shkencëtarë të Universitetit Georgetown dhe Bankës Botërore. Ai bazohet në një studim paneli, përfaqësues në nivel kombëtar, me afro 7.500 të rritur në Bangladesh. Studiuesit zbuluan se nxehtësia ekstreme shoqërohej me një rrezik të shtuar të mendimeve të lidhura me vetëvrasjen, ku çrregullimi i gjumit luante një rol çuditërisht të rëndësishëm. Një sistem i çrregulluar, jo thjesht një ditë e keqe “Rritja e temperaturave globale kërcënon shëndetin mendor të njerëzve në një shkallë masive”, tha autori kryesor Syed Shabab Wahid, profesor asistent i shëndetit global në Universitetin Georgetown. “Në vende të cenueshme ndaj ndryshimeve klimatike, si Bangladeshi, ky stres i shkaktuar nga nxehtësia mund të përkthehet në ngarkesë të rëndë psikologjike dhe rrezik të shtuar për vetëvrasje.” Studimi ndoqi dy mekanizma të ndërlidhur përmes të cilëve nxehtësia ndikon në mendimet vetëvrasëse: çrregullimin e gjumit dhe çrregullimin e rregullimit emocional. Lidhja midis temperaturës dhe mendimeve të lidhura me vetëvrasjen u bë statistikisht e rëndësishme në 28°C dhe ishte më e fortë në 35°C. Temperatura kaq të larta janë të zakonshme në Bangladesh gjatë muajve të verës. Në këtë prag të sipërm, pothuajse 30 për qind e lidhjes së përgjithshme midis nxehtësisë dhe rrezikut të vetëvrasjes shpjegohej vetëm nga cilësia e dobët e gjumit. Çrregullimi i rregullimit emocional përbënte një përqindje më të vogël, por gjithsesi domethënëse, prej 1,8 për qind. Së bashku, gjumi i dobët dhe vështirësitë në rregullimin e emocioneve shpjegonin statistikisht afërsisht një të tretën e lidhjes së vërejtur midis nxehtësisë dhe mendimeve të lidhura me vetëvrasjen. Si u zhvillua studimi Është e rëndësishme të kuptohet mënyra se si u hartua studimi, pasi kjo përcaktoi se çfarë mundën dhe çfarë nuk mundën të përfnin studiuesit. Pjesëmarrësit u intervistuan dy herë: një herë në dimër (janar–shkurt 2024) dhe një herë në kulmin e verës (maj–qershor 2024). Rreziku i vetëvrasjes u mat duke përdorur Shkallën e Shkurtër të Njohjeve Vetëvrasëse (Brief Suicide Cognitions Scale), një instrument i vërtetuar shkencërisht që vlerëson ndjenjën se situata është e padurueshme, se personi nuk është i dashur dhe se problemet nuk kanë zgjidhje, ndjenja që paraprijnë sjelljen vetëvrasëse. Ekspozimi ndaj nxehtësisë u përcaktua si numri i ditëve me temperatura maksimale të barabarta ose më të larta se 35°C gjatë dy javëve para çdo interviste. Struktura e studimit me panel nënkuptonte se të njëjtët individë iu përgjigjën të dy raundeve të intervistave, duke i mundësuar ekipit të krahasonte gjendjen mendore të të njëjtit person në stinë të ndryshme. Çfarë zbuloi analiza Rezultatet e verës ishin dukshëm më të këqija: rezultati mesatar i njohjeve vetëvrasëse u rrit nga 10,99 në dimër në 12,96 në verë. Cilësia e gjumit u përkeqësua. Rregullimi emocional u dobësua. Të dyja këto efekte ishin të qëndrueshme në grupmosha të ndryshme, megjithëse të moshuarit dhe gratë shfaqën përkeqësimin më të madh. “Imagjinoni një telefon inteligjent me bateri të shkarkuar, procesor të mbinxehur dhe aplikacione të rëndësishme që bllokohen të gjitha njëkohësisht. Nxehtësia e vazhdueshme e mjedisit vepron në të njëjtën mënyrë mbi trurin dhe trupin e njeriut”, shpjegoi Wahid. “Trupi nuk arrin të ftohet gjatë natës, duke shkaktuar gjumë të ndërprerë dhe duke shteruar rezervat mendore. Kur sistemi i përpunimit të emocioneve mbinxehet pa pasur mundësinë e rikuperimit përmes pushimit, mekanizmat për përballimin e situatave të vështira shemben nën ndikimin e stresit.” Kush është më i rrezikuar? Studimi zbuloi se rreziku ishte dukshëm më i lartë gjatë verës te personat me nivel më të ulët arsimor dhe te popullatat me të ardhura më të pakta. Këto dallime mund të pasqyrojnë aksesin e pabarabartë në sistemet e ftohjes, ekspozimin më të madh ndaj nxehtësisë në ambiente të jashtme dhe kushtet e banimit që e bëjnë më të vështirë shmangien e temperaturave të larta. Personat me aftësi të kufizuara shfaqën vazhdimisht rrezik më të lartë në të gjitha stinët. Personat e papunë raportuan rezultate më të larta në vlerësimin e njohjeve vetëvrasëse sesa shumica e individëve në kategoritë e tjera të punësimit. Banorët e zonave urbane ishin më të cenueshëm sesa ata të zonave rurale. Kjo mund të lidhet me efektin e ishullit urban të nxehtësisë. Betoni dhe asfalti thithin dhe rrezatojnë nxehtësi, duke bërë që temperaturat gjatë natës të jenë më të larta. Këto gjetje kanë një dimension global që shkon përtej Bangladeshit. Meta-analizat e mëparshme kanë zbuluar se një rritje prej 1°C e temperaturës mesatare mujore shoqërohet me një rritje prej 1,5 deri në 1,7 për qind të rasteve me pasoja vetëvrasëse. Bangladeshi ndodhet në një rajon ku, sipas parashikimeve të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), pritet të përjetohen disa nga valët më të rënda të të nxehtit në dekadat e ardhshme. Megjithatë, mekanizmat e identifikuar nga studimi nuk janë karakteristikë vetëm për Azinë Jugore. Mënyrat për të zvogëluar rrezikun “Në vend që krizat e shëndetit mendor të lidhura me klimën të trajtohen si ngjarje të pashmangshme, sistemet e shëndetit publik tani mund të përqendrohen te faktorë ndërmjetës, të cilët mund të ndryshohen dhe të përmirësohen”, tha Wahid. Gjumi është një prej tyre. “Institucionet shëndetësore mund të monitorojnë valët e të nxehtit së bashku me treguesit e çrregullimit të cilësisë së gjumit, në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrje parandaluese. Ndërhyrjet që përqendrohen në ruajtjen e gjumit, përmirësimin e aksesit të familjeve në sistemet e ftohjes dhe trajnimin e komuniteteve për rregullimin emocional duhet të shërbejnë si mjete efektive për parandalimin e vetëvrasjes gjatë valëve të të nxehtit.” Studimi vë në dukje çatitë e gjelbra, arkitekturën pasive dhe teknologjitë me kosto të ulët për ftohje si ndërhyrje strukturore që kanë treguar rezultate të dokumentuara në uljen e temperaturave të brendshme në Bangladesh. Një studim pilot zbuloi se ndërtesat me çati të gjelbra, të mbuluara me bimësi, ruanin temperatura 3,5°C më të ulëta krahasuar me çatitë pa mbulesë bimore. Reduktime të tilla mund të ndihmojnë në krijimin e ambienteve të brendshme më të rehatshme gjatë nxehtësisë ekstreme, duke mbrojtur potencialisht gjumin dhe duke zvogëluar stresin e shkaktuar nga temperaturat e larta. Çfarë nuk arriti të përfshinte studimi Studimi ka disa kufizime të rëndësishme. Së pari, ai mbështetet në matjet e temperaturës së ajrit në ambientet e jashtme dhe jo në matjet e temperaturës brenda banesave. Ky është një kufizim i njohur në Bangladesh, ku kondicionerët janë të rrallë dhe temperatura e brendshme ndjek nga afër atë të jashtme. Të dhënat për lagështinë e ajrit nuk ishin të disponueshme, çka do të thotë se ngarkesa e plotë termike e përjetuar nga pjesëmarrësit – veçanërisht e rëndësishme në një vend ku temperaturat e matur sipas indeksit të termometrit me bulë të lagur mund të arrijnë nivele të rrezikshme – ka të ngjarë të jetë nënvlerësuar. Ajo që ofron studimi është një dëshmi e re se gjumi i dobët dhe vështirësitë në rregullimin e emocioneve mund të ndihmojnë në shpjegimin e lidhjes midis nxehtësisë ekstreme dhe mendimeve të lidhura me vetëvrasjen. Këto gjetje tregojnë mënyra praktike për të zvogëluar pasojat psikologjike të rritjes së temperaturave. Mbrojtja e gjumit, përmirësimi i aksesit në sistemet e ftohjes dhe mbështetja e shëndetit mendor mund të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, ndërsa nxehtësia ekstreme bëhet më e shpeshtë./Earth.com

