Instituti i Gjeoshkencave ka njoftuar Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për një rritje të ndjeshme të temperaturave dhe të rrezikut nga zjarret në pyje gjatë periudhës 29 korrik – 2 gusht 2026. Sipas parashikimeve, rreziku do të arrijë kulmin ditën e diel, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë vatra zjarri.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, qarqet me rrezikun më të lartë janë Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Vlora dhe Gjirokastra, ku priten temperatura ekstreme. Për qarqet e tjera të vendit, niveli i rrezikut për ditën e diel parashikohet të jetë "i moderuar", ndërsa strukturat përgjegjëse do të mbeten në gatishmëri për monitorimin e situatës.
Raporti i Institutit të Gjeoshkencave parashikon që temperaturat do të vijojnë të rriten deri më 1 gusht, kur në zonat e ulëta, veçanërisht në bashkinë e Peqinit, termometri mund të arrijë deri në 39.5°C. Në zonat bregdetare temperaturat pritet të shkojnë deri në 38.9°C, në zonat kodrinore deri në 38.3°C dhe në ato malore deri në 33.3°C. Sipas institutit, rënia e temperaturave pritet të nisë më 3 gusht.

