Lajme Zone
Vala e AfD-së mbërrin në Berlin: ekstremi i djathtë kryeson për herë të parë në sondazhe
PolitikëReport TV

Vala e AfD-së mbërrin në Berlin: ekstremi i djathtë kryeson për herë të parë në sondazhe

Sipas sondazhit të Institutit të Kërkimeve Insa, partia e ekstremit të djathtë AfD kryeson aktualisht me 19% të votave, duke lënë pas me një pikë si CDU-në ashtu edhe partinë e majtë Linke, të cilat renditen të dyja me 18%.

GJERMANI - Nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme, një valë blu – ose ndoshta më mirë të thuhet e zezë – do të përfshinte Berlinin. Sipas sondazhit të Institutit të Kërkimeve Insa, partia e ekstremit të djathtë AfD kryeson aktualisht me 19% të votave, duke lënë pas me një pikë si CDU-në ashtu edhe partinë e majtë Linke, të cilat renditen të dyja me 18%. Janë shifra befasuese në prag të zgjedhjeve të parashikuara për 20 shtatorin, të cilat tregojnë se rritja e partisë së drejtuar nga Alice Weidel dhe Tino Chrupalla ka shkuar shumë përtej pritshmërive dhe bastioneve të saj tradicionale në ish-Gjermaninë Lindore. LEXO edhe...Kancelari Friedrich Merz nis riformatimin e madh të qeverisë para zgjedhjeve vendimtare në Gjermani Këto rezultate, përveçse mund të përbëjnë një tërmet politik për kryeqytetin gjerman, kanë edhe një vlerë të madhe simbolike. Berlini, një qytet kozmopolit, multikulturor dhe për dekada i konsideruar si një nga bastionet e së majtës gjermane, po i shtohet listës së territoreve ku AfD ka arritur ta shndërrojë pakënaqësinë e qytetarëve në një perspektivë konkrete për të qeverisur. Gara elektorale Në rrjetet sociale, AfD festoi menjëherë rezultatet e sondazhit, duke folur për një "tronditje politike" dhe duke akuzuar edhe një herë "partitë tradicionale" si të pabesueshme. Megjithatë, më pak se 60 ditë para zgjedhjeve në Berlin, gara mbetet e hapur. Të gjitha partitë kryesore ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës: CDU-ja dhe Linke ndajnë vendin e dytë me 18%, të ndjekura nga të Gjelbrit me 16% dhe socialdemokratët e SPD-së me 13%. Diferencat janë minimale dhe ende nuk mund të flitet për një triumf të sigurt të AfD-së në Berlin, edhe sepse vazhdon të funksionojë i ashtuquajturi "kordon sanitar", që synon izolimin politik të ekstremit të djathtë. Asnjë nga partitë kryesore nuk është e gatshme të bashkëpunojë me një forcë që konsiderohet rrezik për demokracinë, ndaj rruga drejt pushtetit për AfD mbetet e vështirë. Rasti i Berlinit dhe kriza e banesave Vëmendja e mediave gjermane ndaj politikës së kryeqytetit u rikthye pas 10 korrikut, kur kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner i CDU-së, në detyrë që prej vitit 2023, vendosi të mos kandidojë më, pas kritikave të forta për mënyrën se si menaxhoi ndërprerjen masive të energjisë elektrike që goditi periferinë jugperëndimore të Berlinit në fillim të janarit. "Kam kaluar orë të tëra në telefon duke u përpjekur të zgjidh situatën", kishte deklaruar ai. Më vonë, megjithatë, u zbulua se në atë kohë kishte shkuar të luante tenis, ndërsa mijëra qytetarë kishin mbetur pa energji elektrike dhe ujë të ngrohtë. Për Wegnerin, tërheqja nga gara ishte e pashmangshme, duke përbërë një goditje të rëndë për konservatorët. Një nga temat kryesore të fushatës është kriza e strehimit. Në Berlin, mungesa e banesave ka arritur përmasa të tilla sa jetesa në qytet po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kjo çështje ka qenë prej kohësh një nga kauzat kryesore të Linke-s, por tani është përvetësuar edhe nga AfD. Në krye të programit të saj qëndron slogani: "Shtëpitë së pari për berlinasit." Plani i ekstremit të djathtë parashikon krijimin e një sistemi pikësh që favorizon banorët vendas. Banesat publike do t'u jepen fillimisht atyre që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Berlin, e më pas aplikantëve të tjerë. Emigracioni dhe siguria në qendër të programit Programi i AfD-së dominohet nga masa të ashpra për emigracionin dhe sigurinë. Partia kërkon: ndalimin e pranimit të azilkërkuesve; zbatimin e politikës së "riatdhesimit" (remigrimit); shtimin e dëbimeve të emigrantëve. Në fushën e sigurisë propozon: forcimin e policisë së lagjeve; uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 14 në 12 vjeç; kastrimin kimik për autorët e krimeve seksuale. Rritja e AfD-së Rezultati në Berlin nuk konsiderohet një rast i izoluar apo një luhatje e përkohshme elektorale. Ai përfaqëson kapitullin më të fundit të një rritjeje që gjatë muajve të fundit e ka çuar partinë në nivelet më të larta që nga themelimi i saj në vitin 2013. AfD, e krijuar fillimisht si një parti euroskeptike, është shndërruar në forcën kryesore të opozitës në Bundestag, duke u fokusuar te temat tradicionale të së djathtës sovraniste: emigracioni, siguria dhe identiteti kombëtar. Falë kësaj strategjie, partia ka arritur të kryesojë edhe në sondazhet kombëtare, duke iu afruar 30% të mbështetjes. Kjo rritje ka vënë në vështirësi sistemin politik gjerman të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, i bazuar në alternimin e partive të mëdha popullore dhe në izolimin e forcave më radikale. Për këtë arsye, rezultati i sondazhit në Berlin shihet si kapërcimi i një pragu të rëndësishëm psikologjik për shoqërinë gjermane./ La Repubblica K.M/ReportTv.al AfD Berlin gjermani Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 67% Jo 27.1% Nuk e di 5.9% Vota total: 1321 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?