Pedagogia e Financë-Bankës në Universitetin “Luarasi”, Zhaklina Dhamo, ka folur në një intervistë për “News24” për programet e studimit që ofron universiteti në bashkëpunim me Universitetin e Londrës, nën mbikëqyrjen akademike të London School of Economics (LSE). Dhamo i cilësoi këto programe si një risi për studentët shqiptarë, duke theksuar se ato u japin mundësi të përfitojnë një formim akademik ndërkombëtar pa qenë e nevojshme të zhvendosen për studime në Londër. Sipas saj, programet ofrohen nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Londrës, me mbikëqyrjen akademike të London School of Economics. Dhamo bëri të ditur se studentët që përfjnë programin trevjeçar mund të përfitojnë një diplomë nga Universiteti i Londrës, si dhe një diplomë nga Universiteti “Luarasi”, sipas kushteve përkatëse të programeve. Ajo theksoi se studimi në Shqipëri mund të përbëjë një alternativë më të përballueshme financiarisht për të rinjtë që synojnë një diplomë me orientim ndërkombëtar. Një tjetër element i rëndësishëm, sipas pedagoges, është mbështetja financiare për studentët. Ajo njoftoi se Universiteti “Luarasi” do të ofrojë edhe këtë vit bursa studimi, duke vënë në dispozicion 30 bursa.
Dhamo u bëri thirrje maturantëve që të informohen mbi programet dhe mundësitë e studimit përpara se të marrin vendimin për universitetin ku do të vijojnë arsimin e lartë.
“Universiteti Luarasi ka një sërë programesh që ofron dhe jemi në momentin e duhur për maturantët. Unë do të ndalesha te programet e LSE-së, sepse janë risi dhe programe të tilla, të paktën nga një universitet si London School of Economics, në fakt nuk i gjen në Shqipëri. Dhe ne jemi një ndër qendrat e Ballkanit për dhënien e këtyre leksioneve dhe diplomave.
Programet e LSE-së janë programe që ofrohen nga Universiteti i Londrës, nën mbikëqyrjen akademike të London School of Economics. Në fund të një programi trevjeçar mund të marrësh një diplomë nga London School of Economics, si edhe një diplomë nga Universiteti Luarasi.
Këto programe ofrohen nga Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit. Universiteti Luarasi, në bashkëpunim me Universitetin e Londrës, nën mbikëqyrjen akademike të London School of Economics, ofron për studentët shqiptarë dhe jo vetëm tre programe.
Maturantët janë në momentin e duhur. Bëhet një lloj vlerësimi, që do të thotë se, nëse do të dëshironin të studionin në një universitet në Londër, do t’u kushtonte shumë më shtrenjtë financiarisht sesa në një vend tjetër, si Shqipëria.
Pra, këtu në Shqipëri, maturantët që realisht e ndiejnë veten të përshtatshëm për një program të tillë, që të hap dyer në shumë vende të botës, e kanë mundësinë ta ndjekin në Shqipëri. Në vitin e parë kemi ofruar bursa, ofrojmë edhe këtë vit dhe universiteti ka vënë në dispozicion 30 bursa”, tha ajo. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Luarasi
