Mirela Kumbaro me rektoren e komanduar të USH / Raporti i Ministrisë së Arsimit ngre probleme për punësimet dhe administrimin e universitetit, ndërsa katër përfaqësuesit e saj në Bord akuzohen se shpërfillin rekomandimet. Denoncimi për mashtrim me 22 mijë euro ndaj Adrian Lekës shton dyshimet për standarde të dyfishta dhe mungesë reagimi nga ministrja Kumbaro. Një raport i Ministrisë së Arsimit, i datës 28 prill 2026, ka evidentuar shkelje në procedurat e punësimit në administratë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa drejtuesit e universitetit akuzohen se vijojnë emërimet me komandim, katër përfaqësues të ministrisë në Bordin e Administrimit përballen me pyetje për moszbatimin e rekomandimeve. Një denoncim televiziv ndaj anëtarit të Bordit, Adrian Leka, shton kërkesat për reagim institucional.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” po përballet me një tjetër seri denoncimesh për shkelje të ligjit, punësime nepotike dhe pa konkurrim publik dhe vendimmarrje që shpërfill rekomandimet e vetë Ministrisë së Arsimit. Në qendër të kësaj çështjeje janë administratori Mark Molla, rektorja e komanduar Blerta Dragusha dhe përfaqësuesit e ministrisë në Bordin e Administrimit. Mbi të gjithë rëndon një pyetje që kërkon përgjigje nga ministrja Mirela Kumbaro: Përse institucioni që ka konstatuar shkeljet nuk po siguron zbatimin e rekomandimeve të veta?
Historia ka një precedent që ministrja aktuale nuk mund ta anashkalojë.
Disa vite më parë, pas denoncimit të emisionit investigativ “Stop” për një rast të dyshuar mitëmarrjeje që përfshinte ish-rektoren Suzana Golemi, ministrja e atëhershme e Arsimit, Evis Kushi, ndërhyri duke e pezulluar nga detyra. Sot, emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar anëtarin e Bordit të Administrimit të Universitetit të Shkodrës, Adrian Leka, për një rast të dyshuar mashtrimi që lidhet me shumën 22 mijë euro dhe ministrja Kumbaro akoma nuk reaguar.
Dy rastet kërkojnë shqyrtim sipas përgjegjësive dhe kompetencave përkatëse. Denoncimi televiziv nuk përbën vendim fajësie, por ngre një pyetje të ligjshme për standardin e reagimit institucional. A ka kërkuar Mirela Kumbaro verifikimin e rastit të Adrian Lekës? A ka shqyrtuar ministria mundësinë ligjore të pezullimit të tij? Nëse jo, përse?
Sipas informacionit të siguruar nga “Pamfleti”, Senati Akademik ka votuar disa javë më parë për rizgjedhjen e Adrian Lekës. Rektorja e komanduar Dragusha, e cila ushtron edhe funksionin e kryetares së Senatit Akademik, nuk ka ndërmarrë hapat e duhura, që kërkohen për t'i dhënë vijimësi kësaj vendimmarrjeje. Përse nuk e mbledh Senatin për pezullimin e z. Leka? Çfarë pengese ligjore ose procedurale ekziston për zbatimin e vendimit dhe kush mban përgjegjësi për këtë situatë?
Çështja e Adrian Lekës përbën vetëm një pjesë të problemit.
Më 28 prill 2026, një grup pune i ngritur nga Ministria e Arsimit hartoi një raport për ligjshmërinë e procedurave të konkursit publik për rekrutimin e personelit administrativ në Universitetin e Shkodrës. Raporti evidenton shkelje të kritereve të punësimit në administratë, ndërkaq po vijon me të njëjtën qasje edhe dyshja Molla Dragusha.
Këto konstatime kërkojnë përgjigje konkrete. Çfarë masash ka marrë Ministria e Arsimit gjatë më shumë se gjashtë muajve që kanë kaluar nga hartimi i raportit? Cilat rekomandime ka zbatuar universiteti dhe cilat ka lënë pa zbatuar?
Në Bordin e Administrimit, ministria ka katër përfaqësues: Ema Kristo, Kristjan Preçetaj, Ermira Repaj dhe Genc Spahija. Sipas informacionit, këta anëtarë nuk kanë mbështetur me votë rekomandimet e grupit të punës që ngriti institucioni që ata përfaqësojnë.
Nëse procesverbalet e Bordit e konfirmojnë këtë qëndrim, ministrja Kumbaro duhet të shpjegojë përse përfaqësuesit e saj nuk kanë mbështetur rekomandimet e ministrisë. A kanë paraqitur kundërshtime të argumentuara ligjërisht? A kanë kërkuar korrigjimin e shkeljeve? Apo kanë lejuar vazhdimin e praktikave që grupi i punës i ka kundërshtuar? Pse BA nuk pezullon z. Leka, si pjesë e tij?
Ndërkohë, sipas denoncimeve që kanë mbërritur në redaksi, dyshja Molla dhe Dragusha vijon të emërojë punonjës në administratën universitare përmes komandimeve, pa zhvilluar konkurse të hapura publike. Denoncuesit pretendojnë se këto emërime favorizojnë lidhje familjare dhe interesa elektorale. Këto pretendime kërkojnë verifikimin e listës së punësimeve, lidhjeve të mundshme të interesit dhe dokumentacionit të secilës procedurë, në raport me statutin e universitetit dhe ligjin nr. 80/2015 për arsimin e lartë.
Raporti i 28 prillit merr rëndësi të veçantë pikërisht sepse Ministria e Arsimit ka ndërmarrë vetë nismën për kontrollin e ligjshmërisë. Nëse drejtuesit e universitetit vijojnë praktikat që raporti i ka konstatuar problematike, ministria duhet të shpjegojë çfarë ka bërë për të siguruar respektimin e ligjit.
Edhe dorëheqja e ish-rektorit, që lidhet me konfliktet për ligjshmërinë e administrimit të universitetit, kërkon sqarim. A kanë qenë edhe shkeljet e konstatuara në raport shkaku i dorëheqjes? Çfarë përgjegjësish kanë marrë drejtuesit që vijojnë të ushtrojnë funksionet e tyre?
Heshtja e ministres Kumbaro përballë këtyre pyetjeve dhe rastit Leka nuk jep asnjë shpjegim për veprimet e institucionit që ajo drejton. Një raport kontrolli, katër përfaqësues ministrorë në Bordin e Administrimit, një denoncim për mashtrim dhe pretendime për punësime të paligjshme, përbëjnë arsye të mjaftueshme për një përgjigje publike, të mbështetur në dokumente.
Mirela Kumbaro duhet t'u përgjigjet dy pyetjeve konkrete: Përse nuk ka një reagim të qartë institucional për rastin Adrian Leka dhe çfarë ka bërë ministria për zbatimin e raportit të saj të 28 prillit 2026?
Nëse Ministria e Arsimit konstaton shkelje, por nuk ndjek korrigjimin e tyre, problemi nuk kufizohet më te administrimi i Universitetit të Shkodrës. Ai përfshin edhe mënyrën se si ministria ushtron përgjegjësitë e veta të kontrollit./Pamfleti mirela kumbaro blerta dragusha universiteti i shkodrës 1 Komente K Komshiu 11 Nëntor 2026, 20:42 Mirela ka shume pune,nuk ka kohe te merret me arsimin!!! Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Dosja e zezë Kumbaro dhe Gonxhja, buldozerët e trashëgimisë kulturore; si masakruan monumentet nga Jugu në Veri 10 Nëntor 2026, 20:3920:39Dosja e zezë Mediu bën show, gjykata numëron vitet: Kur do të kemi drejtësi për Gërdecin? 10 Nëntor 2026, 17:0117:01Dosja e zezë Arkend Balla i Shkozetit “kokë më kokë” me Ani Dyrmishin e dosjes 339 për Bashkinë e Durrësit; kë do kandidojë Rama? 9 Nëntor 2026, 11:3711:37Dosja e zezë A po i fut Kushtetuesja nga dritarja të shkarkuarit e vettingut? 9 Nëntor 2026, 10:3110:31Dosja e zezë 8 Nëntori i Sali Berishës, komunisti që privatizoi antikomunizmin 8 Nëntor 2026, 11:0911:09Dosja e zezë Prapaskenat e zgjedhjeve 2021/ Rama e Basha në “luftë” për votat, konsulentët izraelitë të PS-PD “miq” pas perdeve 7 Nëntor 2026, 16:2016:20Dosja e zezë

