Data Science, Shkenca Kompjuterike, Turizmi Smart dhe dy programe të reja doktorature, pjesë e ofertës së re akademike. Universiteti “Fan Noli” në Korçë vijon procesin e regjistrimeve për vitin e ri akademik, duke ofruar një gamë të gjerë programesh studimi dhe duke zgjeruar ofertën me degë të reja, të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës dhe zhvillimeve të teknologjisë.
Për këtë vit akademik, universiteti ofron 7 programe studimi dyvjeçare, 26 programe Bachelor, 14 programe Master Profesional, 14 programe Master Shkencor dhe 2 programe doktorature. Në përfundim të raundit të dytë të regjistrimeve, numri i studentëve të regjistruar është rreth 510, një shifër e përafërt me atë të dy viteve të fundit në të njëjtën fazë të procesit.
Ndër programet që kanë tërhequr më shumë interes janë Inxhinieri Informatike, e cila ofrohet si diplomë duale në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, Teknologji Informacioni, Informatikë Biznesi, Financë, Menaxhim, Marketing, Teknologji Ushqimore, Anglisht, Infermieri, Mami dhe Sporte.
Krahas programeve ekzistuese, këtë vit Universiteti “Fan Noli” ka pasuruar ofertën akademike edhe me programe të reja, të cilat synojnë t’i përgjigjen më drejtpërdrejt nevojave të tregut të punës, transformimit teknologjik dhe profilizimit të universiteteve. Një prej degëve të reja është Bachelor në Data Science, që do të ofrohet në gjuhën shqipe dhe angleze, si rezultat i riorganizimit të programit Matematikë-Informatikë.
Në nivelin Master Shkencor, universiteti ka shtuar programin Shkenca Kompjuterike, i cili do të zhvillohet në formën e një diplome duale në bashkëpunim me Universitetin e Barit, si dhe programin ndërdisiplinor Turizmi Smart dhe Zhvillimi Rajonal, i cili ndërthur fusha si turizmi, gjeografia dhe bujqësia.
Risi ka edhe në ciklin e tretë të studimeve. Universiteti ofron programin e doktoraturës “Studime Gjuhësore dhe Etnokulturore në Rajonin e Ballkanit”, në kuadër të bashkëpunimit dhe diplomës duale me Universitetin e Timishoarës në Rumani. Po ashtu, pjesë e ofertës së re është edhe doktoratura “Teknologji të Avancuara dhe Zbatime të Inteligjencës Artificiale në Kërkimin Ndërdisiplinor”, e cila synon të orientojë kërkimin shkencor drejt zhvillimeve të teknologjisë dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në fusha të ndryshme.
Në kuadër të riorganizimit të programeve dhe përshtatjes së tyre me nevojat e tregut, janë bërë ndryshime edhe në disa programe ekzistuese. Teknologjia Ushqimore vjen si riorganizim i programit Agroushqim, ndërsa është shtuar edhe Masteri Shkencor në Shkenca Bujqësore. Gjithashtu, në nivelin Master Profesional është përfshirë programi me 12 kredite në Arsimin Special.
Ndërkohë, disa programe studimi nuk do të aktivizohen këtë vit për shkak të numrit të pamjaftueshëm të studentëve të interesuar. Bëhet fjalë për Gjuhë dhe Kulturë Frënge, Gjuhë-Letërsi Shqipe dhe Gjuhë Pakicash, Economics, program i cili është në proces mbylljeje, si dhe Matematikë-Fizikë. Me rreth 510 studentë të regjistruar deri në përfundim të raundit të dytë, Universiteti “Fan Noli” ruan një nivel të ngjashëm regjistrimesh me dy vitet e fundit në të njëjtën fazë, ndërsa programet e reja synojnë të rrisin përshtatjen e ofertës akademike me zhvillimet e teknologjisë dhe kërkesat e tregut të punës./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

