Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar lidhur me problemet e aksesit në Instagram për faqen zyrtare të Euronews Albania, duke e cilësuar situatën si një alarm për lirinë e komunikimit dhe informimit. Në një deklaratë publike, UGSH thotë se mosaksesimi i faqes së medias në Instagram përbën një shqetësim serioz për të drejtën e medias për të komunikuar dhe raportuar në platformat sociale. Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, gjatë ditëve të fundit janë raportuar raste të ngjashme edhe nga përdorues të tjerë dhe gazetarë, të cilët përballen me njoftimin “user not found” gjatë përpjekjeve për të aksesuar llogaritë. UGSH kërkon nga AKEP që, në komunikim me kompaninë Meta, të sqarojë shkaqet e ndërprerjes së aksesit dhe të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një problem teknik apo për një kufizim të qëllimshëm. “Është e domosdoshme të sqarohet publikisht se si qëndron e vërteta dhe prej nga vjen ky protagonizëm bllokues”, thuhet në deklaratën e Unionit. UGSH u ka bërë thirrje edhe mediave dhe gazetarëve të tjerë që kanë hasur probleme të ngjashme në Instagram apo rrjete të tjera sociale që t’i denoncojnë rastet dhe të kërkojnë shpjegime. Po ashtu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon që organet përgjegjëse për luftën kundër krimit kibernetik t’i konsiderojnë këto raste si ankesa dhe indicie për hetim, në bashkëpunim me kompaninë Meta. Sipas UGSH-së, shtimi i rasteve të raportuara dhe veçanërisht prekja e aksesit të mediave profesionale në rrjetet sociale “nuk mund të konsiderohet kurrsesi një rastësi”. Në përfundim, UGSH i kërkon kompanisë Meta ndërhyrje për rikthimin e aksesit dhe transparencë mbi arsyet e kufizimeve, ndërsa u bën thirrje autoriteteve shqiptare të reagojnë me urgjencë.
