Lajme Zone
Ukraina drejt qeverisë së re, Zelensky zgjedh kreun e Naftogaz për postin e kryeministrit
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Ukraina drejt qeverisë së re, Zelensky zgjedh kreun e Naftogaz për postin e kryeministrit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nisur një riorganizim të gjerë të qeverisë, duke propozuar zyrtarisht Serhiy Koretsky, drejtorin ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, për postin e kryeministrit të ri të vendit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nisur një riorganizim të gjerë të qeverisë, duke propozuar zyrtarisht Serhiy Koretsky, drejtorin ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, për postin e kryeministrit të ri të vendit. Dokumentacioni përkatës i është dorëzuar Verkhovna Rada-s, parlamentit ukrainas, ndërsa kryetari i tij, Ruslan Stefanchuk, bëri të ditur se kandidatura do të shqyrtohet menjëherë sipas procedurave parlamentare. Sipas mediave ukrainase, parlamenti pritet të votojë të enjten jo vetëm për kryeministrin e ri, por edhe për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Duke folur në Kiev, në prani të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Zelensky u shpreh se, pas konsultimeve të zhvilluara, Koretsky është “ndoshta personi më i përshtatshëm” për të drejtuar qeverinë.

Kreu i shtetit ukrainas theksoi se prioritetet kryesore të kabinetit të ri do të jenë përgatitja e vendit për dimrin, garantimi i furnizimit me energji dhe intensifikimi i përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi.

Riorganizimi pritet të prekë edhe disa ministri kyçe. Sipas raportimeve, ambasadori i Ukrainës në Bashkimin Evropian, Vsevolod Chentsov, pritet të emërohet zëvendëskryeministër për integrimin evropian dhe euroatlantik, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime në Ministrinë e Çështjeve të Veteranëve.

Ndryshime priten edhe në Ministrinë e Mbrojtjes. Mediat ukrainase raportojnë se ministri aktual Mikhail Fedorov mund të zëvendësohet nga ministri i Brendshëm, Ihor Klimenko. Fedorov u largua nga qeveria të mërkurën, vetëm gjashtë muaj pasi kishte marrë detyrën, në kuadër të riorganizimit të nisur nga Zelensky. Sipas raportimeve, largimi i tij lidhet me mosmarrëveshje të brendshme për drejtimin e operacioneve ushtarake dhe me vonesat në reformën e sistemit të rekrutimit.

Riorganizimi i qeverisë erdhi pas dorëheqjes së kryeministres Yulia Sviridenko, e cila u miratua nga Verkhovna Rada me 258 vota pro, vendim që solli automatikisht dorëheqjen e të gjithë kabinetit.

Në fjalimin e saj të fundit në parlament, Sviridenko e cilësoi si arritjen më të rëndësishme të mandatit të saj sigurimin e një pakete financimi prej 90 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian, e cila, sipas saj, garanton stabilitetin financiar të Ukrainës për këtë dhe vitin e ardhshëm. Ajo kishte luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në negociatat me Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e burimeve minerale të Ukrainës.

Sipas mediave ukrainase, Zelensky kishte shqyrtuar mundësinë e emërimit të Sviridenkos si ambasadore të Ukrainës në Uashington, por ajo thuhet se e kishte refuzuar këtë propozim. Top Channel