Një konflikt i nisur në ambientet e një lokali në Divjakë ka rrezikuar të përfjë në tragjedi, pasi një 22-vjeçar është rikthyer i armatosur me pistoletë me silenciator për të ekzekutuar kundërshtarin e tij.
Ngjarja ka çuar në ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe vënien në pranga të gjashtë personave.
Zanafilla e ngjarjes ishte një sherr me sende të forta brenda një lokali në pronësi të shtetasit Zeni Kule. Si pasojë e përleshjes mbetën të plagosur lehtë 22-vjeçari Orgito Lamka dhe 51-vjeçari Shahin Xhepexhiu. Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe dhënies së dëshmive në komisariat, dy protagonistët u larguan për në banesat e tyre.
Disa orë më vonë, falë informacioneve operative, policia zbuloi se Orgito Lamka ishte rikthyer pranë lokalit i pajisur me një armë zjarri me silenciator, me qëllim që të vriste Shahin Xhepexhiun.
Operacioni policor rezultoi në arrestimin e 6 personave të përfshirë në ngjarje, disa prej tyre me precedentë të mëparshëm penalë:
Orgito Lamka (22 vjeç), autori i dyshuar i tentativës për vrasje, i cili u kap me një pistoletë me silenciator në fole, gati për qitje, ka precedentë të mëparshëm penalë për lëndë narkotike në Shqipëri dhe Belgjikë.
Kevin Sota (45 vjeç), u arrestua pasi iu gjet një armë zjarri pistoletë gjatë kontrollit të automjetit. Edhe ky shtetas ka precedentë penalë për narkotikë.
Serxhio Duda (28 vjeç), drejtuesi i automjetit me të cilin Lamka u rikthye në vendngjarje për të kryer krimin.
Santiago Alla (30 vjeç), u vu në pranga pasi tentoi të fshihte ose hiqte armën e zjarrit nga mjeti i Kevin Sotës.
Zeni Kule (50 vjeç), pronari i lokalit ku nisi konflikti, i arrestuar për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
Shahin Xhepexhiu (51 vjeç), u arrestua për moskallëzim krimi dhe deklarim të rremë para hetuesve, pasi nuk tregoi të vërtetën mbi zanafillën e konfliktit.

