“U maskuan si grup xhirimi”, ish-prokurori zbulon si planifikoi Teherani sulme terroriste në Shqipëri: Synuan një ditë feste në Tiranë, do të godisnin edhe…
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka zbuluar detaje të forta lidhur me rrezikun e sulmeve iraniane në Shqipëri, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë për kërcënime të mundshme.
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi, ka zbuluar detaje të forta lidhur me rrezikun e sulmeve iraniane në Shqipëri, në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, pas paralajmërimit të Ambasadës së SHBA në Tiranë për kërcënime të mundshme. Beçi theksoi se Shqipëria është kthyer në objektiv për shkak të strehimit të opozitës iraniane, konkretisht të MEK, duke e bërë territorin më të ekspozuar ndaj rrezikut. “Targeti kryesor për forcat e Gardës Revolucionare ishte sulmi ndaj përfaqësuesve të MEK dhe vendosja e tyre në Shqipëri e bënte të cenueshëm territorin e vendit,” u shpreh ai. Sipas tij, hetimet e zhvilluara nga prokuroria, në bashkëpunim me SHISH dhe strukturat e antiterrorit, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, zbuluan se persona të sponsorizuar nga Irani kishin hyrë në Shqipëri për të kryer vëzhgime dhe për të planifikuar sulme ndaj drejtuesve të MEK. “Këta persona kishin ardhur me synim të posaçëm për të goditur drejtuesit e MEK. I kemi hetuar për rreth një vit,” deklaroi Beçi.
Ai zbuloi gjithashtu se është parandaluar një sulm i mundshëm terrorist gjatë festës së Sulltan Nevruz në mars të vitit 2018, e cila do të zhvillohej në Tiranë dhe ku pritej pjesëmarrje e madhe qytetarësh.
“Gjatë hetimeve parandaluam një sulm që do të bëhej në një festë fetare në mars 2018, ku do të kishte grumbullim të madh dhe mund të kishte pasoja edhe për qytetarët shqiptarë,” tha ai.
Sipas ish-prokurorit, rreziku nuk kufizohej vetëm te aktivitetet publike, por edhe në ambiente të tjera të frekuentuara nga drejtuesit e MEK, përfshirë qendrat tregtare.
Beçi bëri me dije se personat e përfshirë në këto plane janë dëbuar nga Shqipëria dhe në disa raste janë arrestuar në shtete të tjera, ndërsa një tjetër tentativë për sulm ndaj opozitës iraniane është parandaluar disa muaj më vonë.
Një tjetër element shqetësues i zbuluar gjatë hetimeve, sipas tij, ishte infiltrimi i individëve të maskuar si ekip xhirimi për dokumentarë, që në fakt kishin qëllime të tjera.
“Ata arritën të depërtojnë si një grup xhirimi për një dokumentar, që ishte kamuflimi i tyre,” u shpreh Beçi.
Ai shtoi se janë identifikuar edhe përpjekje të Iranit për të ndikuar opinionin publik në Shqipëri përmes financimeve dhe lidhjeve me individë të caktuar.
“Ne kemi identifikuar që Irani, përmes pagesave, ka krijuar lidhje me persona që mund të bënin dezinformim të opinionit publik,” theksoi ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: iran Shqiperi sulme
