Zbardhen detaje të reja nga hetimi për vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku në Torino të Italisë. Gruaja e viktimës dhe partneri i saj i ri dyshohet se kanë planifikuar dhe më pas kanë kryer vrasjen, ndërsa motivi kryesor lidhet me dëshirën për t’u çliruar prej tij dhe për të vijuar lidhjen e tyre, si edhe me interesin për banesën sociale ku jetonte 55-vjeçari. Të dy të dyshuarit, një grua 45-vjeçare dhe një burrë 52-vjeçar, janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të 6 tetorit nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos. Ata dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e Rrokut dhe ndodhen në burg, në kuadër të masës së sigurisë të vendosur ndaj tyre. Sipas hetimeve, ideja për eliminimin e 55-vjeçarit kishte nisur të merrte formë që në muajin maj. Dyshimet e hetuesve janë se çifti kishte diskutuar mënyra të ndryshme për ta vrarë, përfshirë helmimin dhe përdorimin e thikës, përpara se të vendoste për mënyrën e ekzekutimit. Krimi dyshohet se ka ndodhur më 30 qershor, në apartamentin ku jetonte Rroku në rrugën Verolengo, në zonën Lucento të Torinos. Sipas rindërtimit të ngjarjes, shqiptari është sulmuar nga pas dhe është goditur edhe pasi kishte rënë në tokë. Ekzaminimet mjeko-ligjore zbuluan dëmtime të rënda në kokë, të shkaktuara nga një objekt i fortë. Trupi i 55-vjeçarit u gjet më 6 korrik, gjashtë ditë pas vrasjes së dyshuar. Ai ndodhej në një gjendje të avancuar dekompozimi në banesën e tij, në katin e dytë të një pallati social. Fqinjët njoftuan autoritetet, pasi nga apartamenti vinte një erë e rëndë. Në fillim, rrethanat e vdekjes nuk ishin të qarta, por dëmtimet në kokë bënë që hetimi të përqendrohej te pista e vrasjes. Çështja iu besua Njësisë Hetimore të Karabinierëve të Torinos dhe u koordinua nga Prokuroria e Torinos.
Një tjetër element që ka forcuar dyshimet ndaj çiftit është sjellja e tyre pas krimit. Sipas hetuesve, ata kishin kërkuar informacione për mundësinë e largimit nga Italia dhe emigrimit drejt vendeve të Amerikës së Veriut, duke përfshirë edhe shtete me të cilat Italia nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Për autoritetet, këto kërkime përbëjnë një tregues të mundshëm se të dyshuarit kishin menduar edhe për arratisjen pas kryerjes së krimit. Hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar me saktësi rolin e gruas dhe partnerit të saj në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Mikel Rrokut. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Italia mikel rroku

