Një 49-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë nga babai i tij 83-vjeçar, pas një grindjeje familjare në provincën e Lecco-s, në Itali. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, më 29 gusht, në banesën ku babë e bir jetonin së bashku. Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve, gjatë një konflikti, 83-vjeçari dyshohet se ka sulmuar të birin me një thikë kuzhine.
49-vjeçari u plagos rëndë dhe u transportua me ambulancë ajrore në Spitalin San Gerardo në Monza. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte.
Pas ngjarjes, karabinierët arrestuan 83-vjeçarin, i cili dyshohet për vrasje. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e konfliktit që çoi në tragjedinë familjare. Top Channel

